Aktuale
Hapet qendra e shoqatës Down Syndrome në Ferizaj

Të martën në Ferizaj, në një ceremoni të organizuar nga Shoqata Down Syndrome, u hap qendra e kësaj shoqate në këtë komunë.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha, drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku si dhe përfaqësues të tjerë nga institucione të tjera lokale, të sigurisë, kujdesit social, shoqërisë civile si dhe prindër të personave me sindromën Doën.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në hapje të kësaj qendre u shpreh se Komuna e Ferizajt, gjegjësisht qeverisja e re është e vendosur të përkrah aktivitete e organizatave komunitare, si në rastin e shoqatës Doën Syndrome Kosova, duke siguruar financimin e aktivitetit të tyre dhe bashkëpunimin në nisma të ndryshme sociale.
“Do të mundohemi që gjithmonë, përkundër vështirësive vërtet të jemi afër dhe edhe sot zotohem këtu që do të mbështesim gjithmonë këto grupe dhe në fakt programi dhe platforma ime kryekëput do të jetë familja. E kam thënë dhe po e them edhe këtu se 4 vitet e qeverisjes sime do të jenë vite të përkujdesit social, vite të përkushtimit për familjen. Më lejoni në emër të institucionit të Komunës t’iu uroj hapjen e kësaj qendre dhe njëkohësisht t’i falënderoj gjitha ata që janë bërë bashkë për të ndihmuar” tha Aliu.
Në një fjalë rasti edhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Doën Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri, ka falënderuar Komunën e Ferizajt, përkatësisht Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për mbështetjen si dhe gjithë bizneset lokale e të tjera që kanë ofruar ndihmën e tyre për hapjen e kësaj qendre.
Pas përmbylljes së ceremonisë, të pranishmit panë nga afër hapësirat e punës dhe rekreacionit në këtë qendër e cila gjendet në rrugën Gursel e Bajram Sylejmani./Ndërtimi.info
