Aktuale
Hapet megatenderi për ndërtimin e shkollave në Tiranë
Bashkia e Tiranës ka hapur ditën e premte procedurat për tenderin e ndërtimit të 5 shkollave të reja në kryeqytetet. Pjesë e programit “1 Miliard”, projekti kap vlerën 1.94 miliardë lekë pa TVSH dhe do të jepet në formën e koncesionit me Partneritet Publik-Privat.
Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratore, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të pesë objekteve mësimore.
Vetëm pas përfundimit të ndërtimeve, Bashkia do t’i paguajë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj.
Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më datë 27 dhjetor, ndërsa oferta ekonomike do të luajë një rol kryesor në përcaktimin e fituesit.
Objektet mësimore që do të ndërtohen janë si më poshtë:
- Shkollë për arsimin 9-vjeçar në NJA nr. 9 pranë lagjes “Don Bosko”, me një kapacitet prej 600 nxënësish dhe 20 klasash.
- Shkollë për arsimin 9-vjeçar në NJA nr. 11 brenda kompleksit universitar të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me kapacitet prej 900 nxënësish dhe 30 klasash.
- Shkollë 9-vjeçare në NJA nr. 11 pranë rrethrrotullimit të Doganës, me kapaitet prej 900 nxnësish dhe 30 klasash.
- Shkollë e mesme në NJA nr. 9 pranë lagjes Don Bosko, me kapacitet prej 630 nxënësish dhe 21 klasash.
- Shkollë e mesme brenda kompleksit universitar të UBT, me kapacitet prej 630 nxënësish dhe 21 klasash.
Ndërtimi i këtyre objekteve përputhet me objektivat e Ministrisë së Arsimit, bashkëfinancuese në këtë tender, për lehtësimin e kapaciteteve në shkolla, duke reduktuar numrin e nxënësve për klasë.