Aktuale
Hapet ekspozita e çmimeve Aga Kah për arkitekturë në Muzen e Kosovës

19 projekte arkitektonike, në mesin e tyre edhe nga studio të arkitekturës me famë botërore, kanë zënë vend sot në hapësirat e Muzeut të Kosovës. Aty u shfaqën në kuadër të ekspozitës së çmimit për arkitekturë Aga Khan, cikli 2016, shkruan Ndërtimi.info.
Në mesin e këtyre projekteve është dhe një nga Kosova, krahas gjashtë fituesve të këtij çmimi, në mesin e cilëve janë projektet e Zaha Hadid Architects , BIG – Bjarke Ingels Group dhe StandardArchitecture.
Projekti nga Kosova është ai Bunateka i arkitektit, Bujar Nrecaj.
Çmimi Aga Khan për Arkitekturë fokusohet në proceset e ndryshimit në pjesë të botës ku mjedisi i ndërtuar është duke pësuar transformime të shpejta, herë pas here me pasoja të tmerrshme.
Ndërsa, qëllimi i kësaj ekspozite është shpërndarja e rezultateve të ciklit të 13-të të Çmimit, që përfshin periudhën 2014-2016.
Organizatori i kësaj ekspozite, arkitekti Bekim Ramku tha se pret që në ciklin e ardhshëm të cmimit të ketë fitues shqiptarë.
“Cikli i 2019 ka me pas projekte nga Kosova, ka me pas projekte të nominuara prej Shqipërisë. Cdo tre vit ka me qenë nga një temë. Në vitin 2019 ka me qenë për qasshmërinë në hapësirat publike. Besoj që nga Shqipëria ka me pas naj projekt që ka me fitu ose me hy në garë të ngushtë. Është sheshi, pazari i Tiranës, pazari i Korçës,, pedonalja e Vlorës”, tha ai.
Ndërsa, tema e ciklit të 2016 ka qenë arkitektura dhe pluralizmi.
Ramku gjithashtu theksoi se kanë munguar fondet për një ekspozitë më të madhe.
“Nuk kemi pas fonde për ekspozitë të më të madhe. Në vitin 2014 kemi pas 400 pano, ketë vit 28”, shtoi ai.
Ndërkaq, midis qindra nominimeve, Juria e çmimit ka rishikuar 348 projekte nga 69 shtete dhe ka përzgjedhur 19 prej tyre për inspektim të detajuar dhe rishikim të ekspertëve.
Ndonëse në shkallë dhe qasje të ndryshme, të gjitha projektet janë pjesë e kontekstit të tyre dhe rrisin ndjenjën e përkatësisë në komunitetetin e tyre.
Ndryshe, ekspozita në Muzeun e Kosovës do të jetë e hapur deri më 18 të këtij muaji./Ndërtimi.info/
