Connect with us

Aktuale

Hajdari: Procesi i privatizimit mund të përmbyllet vetëm pas 7 viteve

Published

on

Ekrem Hajdari, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), thotë se mbi 50 për qind e aseteve shoqërore në Kosovë ende nuk janë privatizuar. Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore sipas tij, në një afat real prej 5 deri në 7 vjet do të mund të përmbyllet në tërësi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se mjetet e Fondit të Privatizimit që aktualisht janë mbi 400 milionë euro mund të investohen vetëm në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë i filluar 15 vite më parë, vazhdon edhe sot. Deri ku keni arritur me këtë proces?

​Ekrem Hajdari: Ky proces tani i stërzgjatur ka filluar në vitin 2002/2003 dhe ka vazhduar qe 15 vite. Nuk është se mund të lavdërohemi se është kryer një punë me ritmin që është paraparë qysh atëherë kur ka hyrë ligji në fuqi. Tani mund të them se gjendemi në gjysmë të rrugës së procesit të privatizimit. Kjo ilustrohet më së miri me të dhënat e privatizimit. Deri më tani janë privatizuar 1607 prona, asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe kontratat për të gjitha këto asete janë nënshkruar, ndërsa kanë mbetur pa u privatizuar edhe 2119 asete shoqërore.Ky numër po tregon se edhe gjysma e aseteve shoqërore nuk janë privatizuar.

Në vitin e kaluar këto të dhëna kanë qenë të tjera, pasi që AKP ndërkohë ka vazhduar të identifikojë asete të reja të cilat nuk i kemi pasur të regjistruara, dhe rrjedhimisht ky numër i aseteve të pashitura po vazhdon të rritet.

Mbi 50 për qind e astete shoqërore të paprivatizuara

Radio Evropa e Lirë: Në mesin e aseteve të paprivatizuara cilat janë ato më strategjiket?

Ekrem Hajdari:Është një numër i aseteve që ne i konsiderojmë astete strategjike. Është një listë kjo e cila i është dorëzuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë për Investime Strategjike në mënyrë që bashkërisht në koordinim t’i trajtojmë ato asete përmes Ligjit për Investime strategjike. Aty janë “Hotel Grandi”, “Brezovica”, “Minierat e Goleshit”, “Miniera e Strezovcit”, “Boksitet e Kosovës”, “Damperi”, në regjionin e Suharekës, një objekt i madh dhe shumë i përshtatshëm për industri.

Kemi edhe asete të tjera që mendojmë se janë joshëse për investitorë të ndryshëm, parcela të shumta të tokave bujqësore, tokave industriale, kemi objekte e uzina të ndërtuara kohë më parë, lokale të shumta në mbarë Kosovën të cilët presin privatizimin.

AKP ende në identifikim të pronave jashtë Kosovës

Radio Evropa Lirë: Sa i përket pronave të Kosovës të cilat janë jashtë vendit, a është arritur të bëhet identifikimi i të gjitha këtyre aseteve?

Ekrem Hajdari: Në vitin 2017 kemi themeluar një njësi të të veçantë që merret eksluzivisht me identifikimin dhe mbrojtjen e këtyre pronave që gjenden jashtë Kosovës, nëpër gjykatat e vendeve përkatëse. Sipas të dhënave që posedon AKP, gjithsej jashtë territorit të Kosovës të shpërndara nëpër vende të ish Jugosllavisë janë 162 asete shoqërore. Këto 162 asete i përkasin 38 ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Ne kemi bërë kërkesa të duhura pranë autoriteteve për të regjistruar në emër të AKP-së

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur vështirësi për identifikimin e këtyre pronave që gjenden jashtë vendit?

Ekrem Hajdari: Përveç me gjykatat në Serbi ku kemi mjaft pengesa për shkak mosnjohjes së zyrtarëve tanë si persona adekuat për mbrojtjen e atyre aseteve me shtetet tjera nuk kemi pasur probleme. Proceset janë në vijim e sipër. Ne besojmë që përmes dokumentacionit dhe kërkesave tonë që i kemi reale ne do të arrijmë që ato astete t’i kthejmë në regjistrat tonë.

Fondi i Privatizimit të investohet në letrat me vlerë

Radio Evropa e Lirë: Nga ndërmarrjet e privatizuara është krijuar edhe një fond. Çfarë është bërë me mjetet e Fondit të Privatizimit?

Ekrem Hajdari: Fondi i Privatizimit është rreth 400 milionë euro. Gjatë këtyre tre viteve një pjesë e Fondit u është shpërndarë kreditorëve, pastaj një pjesë ju janë shpërndarë punëtorëve. Por, fondi prej 400 milionë euro është në Bankën Qendrore të Kosovës dhe aty do të qëndrojnë. Ndryshimet tani pas amandamentimit të Ligjit për AKP- në jep mundësinë vetëm në investim në letrat me vlerë. Pra, parashihet që një pjesë e këtij fondi të investohet në letrat me vlerë.

Pjesa tjetër e fondit nuk mund të investohet, pasi që janë fonde që presin destinacionin e tyre, qoftë për pagesat e kreditorëve të shumtë, qoftë për punëtorët. Po presim që Dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme të fillojë punën me një dinamikë të shtuar dhe të aprovojë kërkesat e shumat që presin trajtim.

Radio Evropa e Lirë: Ka ndonjë plan se kur pritet të përfundojë i gjithë procesi i privatizimit?

Ekrem Hajdari:Kjo është një çështje që edhe ne shumë herë e diskutojmë. Për herë të parë e kemi bërë këtë pyetje në vitin 2016 në Komisionin për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës. Në këtë diskutim e sipër ka dal si kërkesë nga Komisioni që ne si AKP të hartomë një strategji përmbyllëse, dokument i cili do të paraqes një orar të strukturuar ndër vite i cili ka një plan strategjik se kur parashihet përmbyllja e procesit të privatizimit.

Në atë kohë kemi hartuar atë dokument të tillë dhe e kemi dorëzuar tek Komisioni për zhvillim ekonomik. Qeveria dhe ne si AKP kemi filluar zbatimit e atij plani, por ndërkohë rrjedhat politike në vend, mos funksionimi i institucioneve për një kohë, në veçanti dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme e cila akoma mbetet jo funksionale ka shkaktuar probleme të mëdha në realizimin e atij plani strategjik, pasi që shumica e proceseve në likuidim, shitjeve, ankesave, kresave të kreditorëve varet nga ky institucion. (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme). Varësia nga ky institucion na ka vendos në një status kohë që në shumicën e këtyre proceseve kemi stagnuar.

Ne mendojmë se nëse të gjitha institucionet funksionojnë si duhet ne një afat real prej 5 deri në 7 vjet do të mund të përmbyllnim procesin e privatizimit në tërësi?

AKP: Nuk ka asnjë pronë të uzurpuar

Radio Evropa e Lirë: Një nga problemet e procesit të privatizimit kanë qenë edhe pronat e uzurpuara. Ka edhe blerës të këtyre pronave që ishin ankuar se pronat e tyre janë të uzurpuara, Çfarë është bërë në lirimin e atyre pronave?

Ekrem Hajdari: Nuk e di që ka ndonjë pronë të ndërmarrjeve shoqërore të uzurpuar sot. Ne përgjatë dy viteve të fundit kemi ndërmarrë aksione të shumta në bashkëpunim me Policinë e Kosovë në mbarë Kosovën dhe edhe në veri të vendit dhe të gjitha i kemi liruar.

Unë e di që në opinion, por edhe tek ne arrijnë ankesa të palëve të cilët vetëm se kanë privatizuar një aset, aset ai i cili është dorëzuar palës nga AKP i lirë, por që sot ndoshta nuk e gëzon të lirë. Ne gjitha këto palë i kemi inkurajuar që të ju drejtohen gjykatave dhe të vendosin drejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Procesi i privatizimit fillimisht ishte parë si një proces që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike, gjeneron vende të reja të punës, por nga ekspertët e ekonomisë u vlerësua se nuk arriti objektivat. Ju si e vlerësoni?

Ekrem Hajdari: Konsideroj së mandati i AKP-së ka qenë në funksion të plotë të zhvillimit ekonomik. Fatkeqësisht rrethanat e shumta politike kryesisht kanë ndërhyrë ndër vite në këtë proces dhe ky proces është luhatur kohë pas kohe, por pavarësisht këtyre rrethanave konsideroj që ky proces vazhdon të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik. Ne kemi storie suksesi të shumta ku afaristë vendor dhe investitorë të huaj dëshmojnë që përmes procesit të privatizimit kanë arritur realizmin e projekteve të shumta. Kjo mund të ndodh edhe në 50 përqindëshin e asteve të mbetura.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending