Arkitekturë
“Gusto” kafeneja me shumë “gusto” në Rrugën B
Një kafene nga përrallat mund të mos jetë identike, por është e sigurtë që nuk mund të dallojë edhe aq shumë nga kafeneja më e re në qytet.
Shkruan: Agnesa Sejdiu
Kjo kafene në qytetin e Prishtinës, e quajtur “GUSTO” (shq. “Shije”), tenton të fusë vizitorët në një “botë” ku secili do të ndihet sikur është “Liza në Botën e Çudirave”, që kësaj radhe i ka rastisur të jetë në një nga pjesët më IN të Prishtinës, në Rrugën B.
Në dukje sikur të jetë e bërë nga sheqerka e petale lulesh, ajo gjithashtu shërben ëmbëlsirat dhe kafenë e preferuar të shumë qytetarëve tani, në vetëm pak kohë qëkur është hapur.
Hapja gjigante në hyrje të saj të krijon përshtypjen sikur jeni duke u futur në një pallat ku sytë prekin në hollin e lartë të paprekshëm edhe për njerëzit më të gjatë. Ndriçimi fantastik me drita që ngjajnë në buqeta lulesh të kristalta, me dritën e tyre sikur përqafojnë lehtë çdo cep të kafenesë. Materiale nga më të ndryshmet të cilat bëhen një për të përfituar një ambient fantastik, janë përdorur nga karriget, tavolinat, muret e të tjera.
Arkitektët e studios INCO Group kanë dizajnuar këtë hapësirë të mrekullueshme me ngjyra të buta dhe detaje mahnitëse që e shndërruan atë në një atraksion, meqë rrjetet sociale shumë shpejt u përfshinë me fotografi nga më të ndryshmet të vizitorëve të kafenesë.
Asdren Spahija, nga studio projektuese, tregon se sapo kishin arritur në hapësirën e lokalit para se të fillonte projektimi, inspirimi i tij kishte qenë i çastit dhe në mendjen e tij ishte formuar si fotografi se si do të dukej kafeneja me ngjyrat e tanishme.
“Inspirimi, ka qenë i çastit, duke tentuar të sjellim një lokal që ka qenë ende i pa parë ne kryeqytetin tonë”, shprehet Spahija.
Ndërsa për paletën e ngjyrave të përzgjedhura, të cilat padyshim janë ndër karakteristikat kryesore të hapësirës, ai thotë se tentativa e tyre ishte të sjellin një kontrast të vendeve të zymta me stile të ndryshme dhe materiale të errëta, duke përdorur ngjyra të lehta dhe forma harkore që sipas tij, simbolizojnë butësi dhe ëmbëlsi.
Mirëpo deri në pikën përfundimtare, i gjithë procesi nuk ka qenë dhe aq i lehtë. Sfida të natyrave të ndryshme ishin bërë barrierë. Ndër to edhe përpjekjet për të bindur klientin në përdorimin e një palete të tillë të ngjyrave. Mirëpo me përkushtimin e tyre, studio arriti që brenda katër muajve ta realizojnë projektin deri në perfeksion.
“Mendimi jashtë kutisë është motoja jonë. Duke filluar nga materiali, ngjyrat dhe idetë që trajtojmë në lokal, janë veçoria dhe ajo çka e bën lokalin të jetë ai që është. Është një lloj zinxhiri i njëpasnjëshëm që të gjitha elementet janë të lidhura duke krijuar tërësinë”, u shpreh Spahija.
E ne si vizitorë, mund të themi me plotë gojën që studio ia kanë dalë të krijojnë një ambient i cili përkufizon “të menduarit jashtë kutisë”.