Aktuale
Gurbetqarët e këtyre vendeve sollën më së shumti para në Kosovë për tri vjet

Kosova vazhdon të pranojë shuma të mëdha të remitencave, të cilat sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës vijnë nga 15 shtete të botës.
Sipas rapotit të fundit të BQK, “Përcaktuesit makroekonomik të remitencave”, për vitet 2014 – 2016 më së shumti remitenca janë dërguar nga Gjermiania, duke u pasuar nga Zvicra dhe pastaj SHBA.
Sipas këtij raportit gjatë vitit 2016, Gjermania është origjina e 37.1 për qind e remitencave, Zvicra 22.6 për qind dhe SHBA 6.8, ndërsa pjesa tjetër nga vende të tjera.
Ndërsa, gjatë vitit 2015 nga Gjermania janë dërguar 36.7 për qind e remitencave, nga Zvicra 22.4 për qind dhe nga SHBA 8.0 për qind. Të dhëna të përafërta ishin edhe për vitin 2014 – Gjermania ishte origjina e 36.4 për qind të remitencave, Zvicra e 22.5 për qind dhe SHBA e 2.6 për qind.
Konkluzioni studimit të BQK-së është se aktiviteti ekonomik në vendet mikpritëse të emigrantëve ka ndikim të fortë pozitiv në flukset hyrëse të remitencave, duke dëshmuar kështu për ekzistencën e një kanali tjetër të rëndësishëm nëpërmjet të cilit transmetohen zhvillimet pozitive apo negative nga ekonomitë e huaja në ekonominë e Kosovës.
Sipas raportit të BQK-së, remitencat rezultojnë të jenë mjaft persistente, çka do të thotë se nuk ndryshojnë shumë nga njëra periudhë në tjetrën. Kjo i bën këto flukse të qëndrueshme, çka është shumë e rëndësishme për ato familje për të cilat remitencat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave.
