Connect with us

Aktuale

Gjykatat joefikase i dekurajojnë investitorët në Kosovë

Published

on

Samiti i Londrës ka ritheksuar nevojën për vendet e Ballkanit Perëndimor që të shënojnë përparime në fushën e sundimit të ligjit, për të krijuar një ambient të përshtatshëm për investitorët nga jashtë. Në këtë aspekt, Kosova vlerësohet se qëndron ende mjaft keq.

Brishtësia e funksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, nga organizatat që monitorojnë punën e organeve të drejtësisë dhe ekspertë të ekonomisë, konsiderohet si pengesa kryesore dhe si dekurajim për shtrirjen e investimeve të huaja.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket funksionimit të sistemit të drejtësisë, Kosova është shumë larg vendeve të rajonit për shkak se ka një gjyqësor i cili ka një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura.

Ai shton se gjatë monitorimit që iu bëjnë gjykatave të Kosovës, kanë gjetur raste kur lëndët e investitorëve të huaj nuk janë trajtuar me vite nga gjykatat e Kosovës.

“Edhe përkundër asaj që Ministria e Drejtësisë kishte iniciuar që në kuadër të plotësimit të Ligjit për gjykatat të ketë një departament të veçantë për të trajtuar lëndët që kanë të bëjnë me çështje ekonomike apo që ndërlidhen me investitorët e huaj, në praktikë kjo ende nuk është zbatuar. Në këtë drejtim kjo parqet një pengesë jashtëzakonisht të madhe për investitorët e huaj që të kenë sigurinë juridike për të ardhur të investojnë në Kosovë”, thekson Miftaraj.

Thirrjet që vijnë nga Samiti i Londrës për fuqizimin e rendit dhe ligjit, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi duhet të kuptohen nga institucionet e Kosovës si një tërheqje e vërejtjes dhe se kërkohet fokusim më i madh në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

“Një nga sektorët që në Kosovë qëndron më se keqi në raportet ndërkombëtare është sundimi i ligjit. Në fakt, Kosova ka shpenzuar pas luftës qindra miliona euro në sektorin e drejtësisë, por qytetarët e Kosovës, bizneset dhe subjektet juridike nuk kanë gjetur drejtësi, edhe te vendimi i fundit për rritjen e pagave për prokurorë dhe gjyqtarët të sektorit të drejtësisë unë mendoj se duhet të matet performanca e tyre, e pastaj të vazhdohet me rritjen e pagave”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve në Kosovë. Derisa në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, në vitin 2017 investimet e huaja nuk ishin më shumë se 280 milionë euro.

Derisa si sektor më me potencial për investitorë të huaj, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar sektorin energjetik, miniera, transport dhe telekomunikacion, industri përpunuese dhe turizëm.

Por, që brishtësia e funksionimit të rendit dhe ligjit, thotë Gashi, ka bërë që investitorët e huaj të dekurajohen dhe të mos e shohin Kosovën si vend ku mund të investojnë kapitalin e tyre.

“Ne jemi dëshmitarë se drejtësia në Kosovë blihet me para dhe ata që kanë shumë para nuk përgjigjen para ligjit. Zakonisht dënohen dhe arrestohen ata për vepra të korrupsionit të 100 euro apo krime të lehta, ndërsa krimet e rënda ose nuk ndjeken, ose amnistohen ose përshkruhen lëndët. Me një fjalë, sistemi i drejtësisë është i brishtë, këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare”.

“Pritjet me vite i kontesteve gjyqësore dhe mostrajtimi i tyre është dekurajimi kryesor i investitorëve të jashtëm në Kosovë. Këtu nuk është në pyetje buxheti, për arsye se gjyqtarët dhe prokurorët këtu në Kosovë i kanë pagat e larta, mirëpo përformanca e tyre është jashtëzakonisht e ulët”, thotë Gashi.

Institucionet e Kosovës, sidomos ato të sundimit të ligjit, janë ndihmuar në dhjetë vjetët e fundit edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX. Por, sipas vlerësimeve të bëra, po nga organizatat joqeveritare, edhe ky mision nuk kishte përmbushur pritjet, sidomos kur bëhet fjalë për rastet e cilësuara të ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të nivelit të lartë.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending