Aktuale
Gjykata lejon vazhdimin e ndërtimit të shumëkatëshes në Lagjen e Muhaxherëve

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dhënë të drejtë kompanisë ndërtimore “Driloni Com” që të vazhdojë punën në ndërtimin e objektit shumëkatësh në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.
Edhe pasi çështja ishte kthyer ne rigjykim Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka refuzuar kërkesën Arsim Gllogut për caktimin e masës së sigurisë dhe ka lejuar që objekti të ndërtohet.
Avokati i kompanisë “Driloni Com”, Besnik Berisha, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se kanë marrë vendimin nga Gjykata Themelore e Prishtinës se është refuzuar masa e sigurisë ndaj objektit në fjalë.
“Pretendimet që kompania “Driloni Com” i ka shkaktuar dëme ankuesit i ka hedhur poshtë Gjykata duke u bazuar në mendimet e ekspertëve profesionalë. Merreni aktvendimin e fundit të Gjykatës ku është e sqaruar gjithçka se kjo kompani s’i ka shkaktuar dëme askujt”, tha Berisha.
Arsim Gllogu po pretendon se nga një ndërtim i lartë afër pronës së tij në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë iu ka dëmtuar shtëpia dhe biznesi në të cilin ai ishte duke punuar dhe banuar deri më datën 8 dhjetor 2017, datë kjo kur Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim e Komunës së Prishtinë i rekomanduan familjes Gllogu që ta lirojë shtëpinë pasi që e njëjta rrezikon të shembej.
Lajmin se Gjykata Themelore për të dytën herë e ka refuzuar masën e sigurisë e ka konfirmuar edhe avokatja e Arsim Gllogut, Albana Kelmendi.
“Ne sot e kemi pranuar vendimin që është refuzuar masa e sigurisë që ne e kemi bo për objektin që është duke u ndërtuar afër familjes Gllogu. Mirëpo kemi edhe padi tjera ndaj kësaj kompanie për kompensimin e dëmit”, tha Kelmendi.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili është i dyti pasi që kjo çështje ishte kthyer në rigjykim, thotë së kompania “Driloni Com” mund të vazhdojë me ndërtimin e objektit dhe se duke u bazuar në mendimet e ekspertëve të pavarur nuk paraqet rrezik për shtëpinë e familjes Gllogu.
