Featured
Gjykata lejon ndërtimin e “Velierës” 6 milionësh në Durrës

Gjykata ka folur përfundimisht në lidhje me ndërtimin e “Velierës” në Durrës, ku ka vendosur pro projektit 6 milionë dollarësh të Bashkisë Durrës.
Por dhe ka vendosur pro disa pikave të kërkesës së Shoqërisë Civile, e cila kërkonte anulimin e projektit të bashkisë.
Gjykata Administrative vendosi që t’i hapë rrugë përfundimit të veprës në sheshin para hyrjes së portit sipas projektit të rishikuar nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Durrësit, pas 13 seancave dhe një viti pezullim punimesh, shkruan Panorama.
Ndryshimet në projekt parashikojnë ruajtjen dhe punimet në hapjen për publikun të rrënojave arkeologjike të zbuluara gjatë punimeve për këmbët e “Velierës”.
Ndërkohë, sipas vendimit, nuk do të lejohen të zhvillohen punimet në zonën arkeologjike “A”. Sakaq, nuk u pranua kërkesa për përgjegjësinë penale për urdhëruesit e tij. Seanca u shoqërua nga një moment tensioni pasi vendimi u dha pa praninë e medias.
“Veliera” cilësohet si një nga projektet madhore të Bashkisë së Durrësit, sipas së cilës qyteti fiton një shesh për qytetarët dhe po ashtu do të tërheqë interesin e turistëve të huaj. Në këto kushte, pas një viti pezull, Gjykata i ka hapur rrugë punimeve në kantierin e ndërtimit, përveç zonës arkeologjike “A”.
Treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Ergys Gashi ka pranuar pjesërisht kërkesëpadinë e Shoqërisë Civile, e cila kërkonte anulimin e projektit të këtij sheshi dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, që kanë ndërhyrë në zonën arkeologjike.
Gjykata Administrative në vendimin e saj ka pranuar projektin e ndryshuar të paraqitur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Durrësit për të mos u zhvilluar punime në zonën arkeologjike “A”, aty ku binte më parë një nga këmbët e “Velierës”.
Pra, do të zbatohet projekti i ndryshuar, që konsiston në ruajtjen e rrënojave arkeologjike në kushte optimale dhe njëkohësisht të jenë të vizitueshme nga publiku.
Gjykata Administrative nuk është shprehur për kërkesë- padinë e shoqërisë civile në lidhje me anulimin e projektit, por vendosi që të mos lejojë punime në zonën “A”, aty ku punimet janë të bllokuara prej një viti.
Menjëherë pas këtij vendimi, kanë reaguar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, avokatja Mirela Jorgo dhe ambientalisti Sazan Guri, të cilët u shprehën se do ta çojnë çështjen në Strasburg për të mbrojtur vlerat e trashëgimisë kulturore.
