Featured
Gjykata Kushtetuese projekt mbindërtimi me 2 kate, planifikimi 1.12€/m²

Objekti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është në zonën qendrore të Prishtinës, mu përball ish-pallatit të Rilindjes. Në atë objekt janë qysh nga korriku i 2009-s. Më parë objekti ka qenë Komandë e Zonës së Pestë të TMK-së.
Për këtë objekt ka pasur edhe shumë përplasje. Arsyeja ishte se Gjykata Kushtetuese është dashur të shpërngulet në objektin e saj tek Pallati i Drejtësisë, por ata s’kanë pranuar dhe kanë refuzuar gjithnji. Objekti ka qenë i destiuar për institucionin e Avokatit të Popullit
Mirëpo, planet e kushtetuesve nuk janë që të lëvizin së shpejti. Ata tashmë po shohin që të ngrisin edhe dy kate të objektit që është vetëm përdhesë, pranë atij që është B+P+1+NK(nënkulm), raporton Ndertimi.info.
Në përshkrimin tekstual thuhet se kërkesa për mbindërtim është që në obektin P+0, të shtohen edhe dy kate (1+NK), duke i barazuar këto dy ndërtesa. Destinimi, sipas këtij dokumenti, do të jetë për zyra shtesë të administratës, sallë për konferencë dhe hapësira tjera përcjellëse.
Për këtë veprim, Gjykata Kushtetuese ka hapur konkurs arkitektonik, me kuotim të çmimit, nën 1000 euro. Tri kompani kanë konkurruar për të marrë këtë tender. Kompania fituese është “Geomatika-Arch” SHPK, me seli në Fushë Kosovë, me vlerën 590.10 euro, në hapjen e tenderit. Por në nënshkrim shihet se kësaj kompanie i është faturuar 988.32 euro.
Ky një lëmsh brenda kontrate, por që nga zëdhënësi Veton Dula është thënë për Ndërtimi.info, se kontrata megjithatë është dhënë 590.10 euro. Kjo i bie se kompania do të projektojë 1 metër katrorë me 1.12 euro, kjo pasi sipërfaqja e llogaritur për planifikim është 525.28 metra katrorë.
