Aktuale
Gjobat që parasheh Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme që po kalon në Kuvend
Komisionit për Buxhet kohë më parë ka votuar për procedim të mëtejmë të Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Projektligji i prezantuar nga ministri i financave, Bedri Hamza thekson edhe mënyrën e vlerësimit të pronave të paluajtshme, përcjell Ndërtimi.info.
Ky projektligj parasheh që Ministria e Financave përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të Komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit.
Në mesin e 10 kapitujve të këtij projektligji, përfshihet edhe kapitulli që parasheh gjoba për personat që nuk bëjnë regjistrimin e pronës së tyre të paluajtshme, përcjell ndërtimi.info.
Sipas kapitullit të nëntë të këtij projektligji, çdo poseduesi që nuk bën kërkesë për regjistrimin e pronës së paluajtshme që ai posedon dhe nuk i siguron Komunës informacionin e nevojshëm i dërgohet një letër kujtesë. Por, nëse nuk i përmbahet as kësaj letër kujtese, atëherë personi do të gjobitet.
“Nëse poseduesi nuk i përmbahet letër kujtesës brenda tridhjetë (30) ditëve nga data kur letër kujtesa e Zyrës Komunale të Tatimit në Pronë konsiderohet të jetë pranuar nga poseduesi, i shqiptohet gjobë në një shumë që është e barabartë me tridhjetë për qind (30%) të tatimit të vlerësuar në vitin pasues”, thuhet në pikën 2, të nenin 35.
Gjobë parashihet edhe për personat të cilët nuk deklarojnë ndonjë ndryshim të bërë në pronën e paluajtshme.
“Tatimpaguesi i cili nuk deklaron ndonjë ndryshim në pronën e paluajtshme që ka në pronësi ose posedim në pajtim me paragrafin 8 të nenit 18 të këtij Ligji, i shqiptohet gjobë në një shumë që është e barabartë me dyfishin e tatimit të vlerësuar që rrjedh nga diferenca midis vlerës së re të vlerësuar dhe vlerës së vjetër”, parasheh neni 35 i këtij projektligji.
E, një gjobë prej 100 eurosh do të shqiptohet për tatimpaguesin i cili deklaron dy apo më shumë njësi rezidenciale të objektit si vendbanimin e tij parësor, në kundërshtim me nen 11, që parasheh zbritje për vendbanimin parësor.
Nëse, tatimpaguesi nuk e kryen obligimin e tij ligjor në afatin e caktuar kohor, do t’i shqiptohet një gjobë tjetër.
“Tatimpaguesi i cili nuk e paguan tatimin në pronën e paluajtshme në datën ose para datës së fundit për pagesë i vendoset gjobë në një shumë që është e barabartë me dhjetë për qind (10%) të tatimit të papaguar”, thuhet në pikën 6 të nenin 35.
Projektligji përcakton se nëse ndonjë gjobë është mbi limitin e përcaktuar, shqiptohet gjoba që është në tavanin e limitit të lejuar sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtje.