Aktuale
Gjithçka gati për fillimin e Konferencës së parë të Ndërtimit në Kosovë

Pas pak minutash pritet të fillojë Konferenca e parë e Ndërtimit në Kosovë, e organizuar nga Media Ndërtimi, ku do të mblidhen arkitektë dhe inxhinerë shqiptarë më me nam për të diskutuar tema të rëndësishme të fushës.
Në këtë konferencë, që mbahet sot dhe nesër nga ora 9:00, në Emerald Hotel do të mblidhen arkitektët dhe inxhinierët më me nam në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni për të qenë pjesë e Konferencës së Ndërtimit “CONRECON – Prishtina 2018”.
Në konferencë do të ketë panele disktimi dhe prezantime. Dita e parë e konferencës do të ketë panele diskutimi në temat “Identiteti Arkitekturor i Kosovës” dhe “Ballafaqimi i Ballkanit me Urbanizëm”.
Konferenca do të vazhdojë edhe më 3 prill, ditën kur do të flitet për “Degradimin e Tokave Bujqësore nga Ndërtimi” dhe “Ndërtimi si ndotës”.
Më poshtë gjeni emrat e profesionistëve që do të jenë pjesë e konferencës në pjesën e prezantimeve dhe paneleve, teksa edhe publiku do të ketë mundësinë e diskutimit brenda konferencës.
Pjesëmarrës në konferencë do të jenë: arkitekti Përparim Rama, inxhinieri Bardhyl Halitjaha, kryetari i Asociacionit të Arkitektëve të Shqipërisë, Armand Vokshi, kryetari i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Astrit Nixha, urbanisti Dukagjin Hasimja, urbanisti shqiptar Flamur Kuqi, arkitekti Bekim Ramku, arkitekti Rron Beqiri, arkitekti Shpetim Maraj, arkitekti dhe dekani i Fakultetit të Arkitekturës “Polis”, Ledian Bregasi, ambientalisti Labi Salihu, dekani i Fakultetit të Bujqësisë në Tiranë, Fatbardh Sallahu, Afrim Sharku, Luan Hasanaj nga Organizata “Let’s Do It Kosova”, Jehona Gjurgjeala nga Organizata “Toka” dhe të tjerë.
