Aktuale
Gjilani përfiton 40 shtëpi për rastet sociale
Nën organizimin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në Gjilan është mbajtur sot takim për çështjen e kthimit dhe funksionimit të organeve komunale përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, ku përveç përfaqësuesve të këtij dikasteri, ka marrë pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetarët e komunave të regjionit, përfaqësues të UNMIK dhe zyrave komunale për komunitete.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë diskutimit, ka thënë se Gjilani është shembulli më i mirë në Kosovë sa i përket integrimit të komuniteteve dhe kultivimit të dialogut ndërfetar, transmeton Koha.net. Ndërsa ka bërë të ditur se Gjilani do të përfitojë 40 shtëpi për raste sociale.
“Kemi punuar shumë në integrimin e komuniteteve dhe ndihem shumë mirë që Gjilani është shembulli më i mirë në këtë aspekt, sikur edhe i kultivimit të dialogut ndërfetar. Zyra për kthim dhe komunitete dhe komiteti për komunitete është funksional. Në Gjilan aplikohet mësimi në shkolla në katër gjuhë, ndërsa lajmi më i mirë është se do të përfitojmë 40 shtëpi të reja për rastet sociale nga Ministria për Kthim dhe donatorët”, ka thënë Haziri.
Gjatë takimit të sotëm, është diskutuar vlerësimi i nevojave për interesimin për t’u kthyer në rajonin e Anamoravës, për çështjet e pajtimit dhe sigurisë, sikurse edhe për planet komunale të veprimit për kthimin dhe mundësinë e fianancimit.


