Aktuale
Gjermania ndihmon Kosovën me afër 13 milionë euro
Me afër 13 milionë euro ndihmë nga Gjermania, Kosova ka mundësi të riintegrojë të kthyerit nga migrimi, të zhvillojë projekte në arsim, rini dhe punësim, e që përkojnë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Kështu u tha këtë paradite me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim teknik për vitin 2017 nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Chrisitian Heldt.
Ambasadori Heldt, tha se nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ditëve të fundit mes dy shteteve, ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik.
Ai ka përmendur mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë për Kosovën, teksa ka theksuar se synojnë ta mbështesin në vazhdimësi në shumë aspekte, me theks të veçantë në fushën e arsimit.
Ndërsa përmes këtyre marrëveshjeve, sipas tij, do të rriten mundësitë për punësim.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se këto mjete janë një grant i dhuruar nga taksapaguesit gjermanë për Qeverinë e Kosovës, mjetet e të cilit do të shfrytëzohen për projekte të ndryshme si në arsim, rini dhe punësim.
Ai theksoi se kjo marrëveshje e thekson edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë në rrafshin financiar dhe teknik për Kosovën, si dhe në rrugën drejt integrimit sa më të shpejt në BE. Ndërsa ka falënderuar taksapaguesit gjermanë dhe shtetin gjerman për mbështetjen e dhënë.
Promovimi i zonave private, zhvillimi i kapaciteteve në arsimin fillorë në Kosovë, me fokus të veçantë zhvillimin e proceseve menaxhuese, sipas Hamzës do të jenë disa projekte të tjera të cilat do të realizohen në kuadër të kësaj marrëveshje.
Sipas tij, realizimi i këtyre projekteve ka rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit.