Aktuale
Gjermania jep 10 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të ngrohtores në Prishtinë

Në kuadër të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë është nënshkruar një marrëveshje në vlerë 10 milionë euro, shkruan Ndërtimi.info.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza, kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit”, Naser Canolli, udhëheqësi i Divizionit për Energji për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfW, Jürgen Kern dhe menaxheri i projektit, Nico Schützhofer.
Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se kjo ndihmë financiare është pa kthim, derisa siguroi ambasadorin gjerman Christian Heldt se këto mjete do të përdoren në mënyrën më të mirë.
“Marrëveshja është një marrëveshja për një projekt në mesin e projekteve më të mira në Kosovë. Është ndihmë financiare pa kthim, që them pare fal. Ky projekt ka kontribuuar në përmirësimin e ngrohjes, në uljen e kostos për qytetarët si dhe për përmirësimin e situatës energjetike”, u shpreh ai.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt theksoi se puna duhet të fillojë menjëherë.
“Kjo është vazhdimësi e punës së përbashkët te KfW dhe Termokosit për një projekt që i prek qytetarët e Prishtinës. Koha ka filluar të ngrohet dhe puna duhet të fillojë menjëherë”, tha ai.
Udhëheqësi i Divizionit për Energji për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfW, Jürgen Kern pohoi se kyçja në rrjet do të bëhet në bazë të master-planit.
“Në vitin 2011 kemi filluar angazhimin tonë për ngrohjen në Prishtinë. Kur kemi filluar bashkëpunimin me Termokosin kemi pasur 6 orë ngrohje, tash kemi ngrohje 24 orë, kemi kënaqshëmrinë e shfrytëzuesve dhe faturimi është rritur dhe ajo që është me rëndësi subvencionet janë reduktuar në zero. Konsumatorët e ri do të lidhen në sistemin e ngrohjes në përputhje me master-planin”, u shpreh ai.
Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli tha se ky projekt po bëhet me paratë e taksa paguesve gjerman.
“Me taksat e popullit gjerman ne po jemi fitues për një jetë më të mirë të qytetarëve. Gradualisht Prishtina po merr pamjen e duhur si një metropol”, tha Pacolli.
Kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit”, Naser Canolli tha se brenda këtij viti do të fillohet rehabilitim dhe zgjerim i rrjetit.
Ndërkaq, nga për këtë projekt nga i cili do të përfitojnë 70 mijë qytetarë do të kontribuojnë edhe Qeveria e Luksemburgut dhe Komuna e Prishtinës./Ndërtimi.info/
