Aktuale
Gjendja në “Trepçë”, e pandryshueshme

Ndonëse minatorët e “Trepçës” kanë ndërprerë grevën, vetëm atëherë kur ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka premtuar se të gjitha kërkesat e punëtorëve të “Trepçës” do të zgjidhen brenda tre muajve, Qeveria e Kosovës akoma nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i përmbushur kërkesat. Grupet punuese dhe të ekspertëve ende nuk janë formuar ndonëse afati i fundit ka qenë 24 korriku, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës”, i cili kryesohet nga Ardian Syla, ka hasur në kundërshtim të minatorëve të “Trepçës”, por edhe të menaxhmentit aktual, ndonëse që nga fillimi ka bërë përpjekje që ta normalizojë gjendjen e rëndë në “Trepçë” në të cilën ndodhet pothuajse që nga përfundimi i luftës. Menaxhmenti i vjetër i “Trepçës” që udhëhiqej nga Ahmet Tmava gati dy vjet është përpjekur ta bindë Qeverinë e Kosovës që ta formojë Bordin Mbikëqyrës, i cili pastaj zgjodhi Bordin Menaxhues, por Qeveria e Ramush Haradinajt ka vepruar vetëm atëherë kur Tmavës i kishte kaluar mandati. Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës”, i cili kryesohet nga Ardian Syla, me të filluar së funksionari ka emëruar ushtrues të detyrës së drejtorit zëvendësin e Ahmet Tmavës Miftar Hysenin, i cili ka dalë përkrah kërkesave dhe në një vijë me minatorët e “Trepçës”, që në Bordin Mbikëqyrës përfaqësohen nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.
Ky i fundit kishte paralajmëruar Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet se minatorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme nëse kërkesat e tyre nuk përfshihen në draftstatutin, të cilin kërkuan që të kthehet në pikën zero, do të thotë një draftstatut tjetër, në të cilin do të përfshiheshin kërkesat e punëtorëve të “Trepçës”, madje edhe ato të karakterit social.
