Prokurim Publik
Gjashtë projekte të pakryera në Gjakovë, prej vaktit të Pal Lekajt

Projektet kapitale që u nënshkruan në kohën sa Pal Lekaj ishte kryetar i Komunës së Gjakovës, as sot e kësaj dite nuk janë përfunduar. Qysh prej asaj kohe, ato janë lënë gjysmë.
Gjashtë kontrata për projekte kapitale në vlerë totale 1,324,912€, ishin nënshkuar në vitet 2012 dhe 2013, por edhe pas pesë vitesh asnjëra prej projekteve nuk është realizuar në mungesë të mjeteve, ani pse planet dinamike të realizimit të këtyre projekteve ishin nga 28 deri në 120 ditë kalendarike, shkruan Ndërtimi.info.
E zvarritja e projekteve kapitale, komunës i ka kushtuar goxha shumë. Mbi 82 mijë euro është vlera e pagesave që janë realizuar përmes procedurave përbarimore e gjykatave.
“Nga mostrat e testuara, është identifkuar se si pasojë e mos pagesës me kohë të obligimeve ndaj kontraktuesve, përmes procedurave përmbarimore, gjykatave dhe nga Thesari janë realizuar pagesa në vlerë 82,596€. Në mungesë të buxhetit në kategorinë përkatëse, ishin shfrytëzuar mjetet nga kategoritë tjera buxhetore”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Gjakovës.
Në raportin e Auditorit, thuhet se Komuna ka të kontraktuar një kompani për mbikëqyrjen e projekteve kapitale. Por, edhe pse komuna kishte angazhuar këtë kompani, përveq situacioneve teknike të punimeve, nuk janë ofruar informata të mjaftueshme rreth ecurisë së realizimit të projekteve kapitale.
“Për tri kontrata, Plani i Menaxhimit të Kontratës (PMK) ishte përgatitur dhe nënshkruar me vonesë, ndërsa në tri raste tjera PMK-të nuk ishin azhurnuar me informata të duhura”, thuhet në raport.
Auditori konsideron se dobësitë aktuale mund të ndikojnë në vlerë të dobët për para, pagesa të parregullta, kosto shtesë si pasojë e padive nga mos pagesa me kohë e obligimeve si dhe vonesa në ofrimin e shërbimeve që mund të rezultojnë në kontrata të cilat nuk zbatohen sipas standardeve të kërkuara.
Kjo Zyrë rekomandon Kryetarin “që të sigurojë se kontratat të nënshkruhen vetëm pasi të sigurohet buxheti i duhur për realizimin e tyre. Menaxherët e kontratave duhet të monitorojnë rregullisht zbatimin e projekteve, dhe të hartojnë raporte në të cilat ofrohen informata të mjaftueshme rreth ecurisë së zbatimit. Për çdo vonesë të paarsyetuar në realizimin e projekteve të aplikohen penalet.”/Ndërtimi.info
