Uncategorized
“Gërmia” nuk i plotëson kushtet për Sallë Koncertale

E ndërtuar në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, ajo është njëra ndër ndërtesat më të famshme të Prishtinës së asaj kohe. Ishte ndërtesa më moderne e qytetit, njëherit ishte pikë referencë dhe dominante e rëndësishmë në hartën kognitive të asaj kohe.
Shkruan: Liridon Gashi
Ishte pikëtakim për të rinjë e të vjetër, ishte simboli i arkitekturës dhe ndërtesa më e famshme, ishte pjesë integrale e jetës së qytetarëve të Prishtinës dhe jo vetëm.
Janë të shumta objektet e trashëgimisë të cilat rrënohën qëllimshëm, rikonstruohen joprofesionalisht, në disa raste djegen, si formë strategjike për ndërtime të reja, por pothuajse asnjëherë nuk merren parasysh këto dëme të tmerrshme të trashëgimisë.
Më shumë trashëgimia mbrohet, ruhet dhe mirëmbahet nga vetëdija e gjerë shoqërore, sesa nga dija dhe vetëdija intelektuale elitare e profesionale. Profesionistët e fushës në shumicën dërmuese të rasteve janë “ujqit” e trashëgimisë, sepse kodi etik e profesional i vetëm i tyre është kodi i bankës.
Ky objekt reprezentativ përfaqëson arkitekturën moderne komuniste të shekullit XX-të, funksioni i tij ishte unik dhe niveli teknologjik ishte i avancuar.
Ndonëse nuk është ruajtur në tërësi forma burimore, prap gjendja e tij është e kënaqëshme dhe nuk mund të konsiderohet vendim i qëlluar rrënimi i saj, në fakt nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë të rrënohet. Rikonstruimi dhe adaptimi në një muze bashkëkohor është ide e pranuar, sepse një funksion i tillë do të mundësonte ruajtje optimale të formës burimore.
Përveq rëndësisë së tij si objekt i veçantë ai në vete përfaqëson më shumë se kaq, është një objekt i rrall i asaj periudhe në qytet, është me funksion adaptabil, në gjendje të mirë konstruktive dhe mbi të gjitha është përfaqësues unik i asaj periudhe.
Numri i vogël i objekteve të tilla në qytet në njërën anë dhe rrënimi i të tillave në anën tjetër, përveç që po na lë pa objekte si emra të përvetshëm, po na lë edhe pa histori, kjo sepse rrënimi i objekteve të tilla të kohës së komunizmit gjegjësisht shekullit 20-të, po na shkakton degresion historik, po mbesim pa konsistencë arkitektonike.
Projekti për ndërtimin e sallës koncertale në objektin e “Gërmisë”, gjegjësisht adaptimi i tij në sallë koncertale është ide kontraverse, ose thënë ndryshe është vështirë e realizueshme.
Është i quditshëm fakti që vetëm pas disa ditësh që ky objekt futet në Listën e Përkohshme të Mbrojtjës, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), qeveria kundërpërgjigjet me një vendim tjetër, me të cilin lejohet shndërrimi i këtij objekti në sallë koncertale.
Vendimi i MKRS-së ishte vendim i qëlluar dhe i mirëpritur nga të gjithë profesionistët dhe akterët tjerë të kulturës, përkatësisht trashëgimisë kulturore, për arsye se ishte vendim ligjor dhe i domosdoshëm. Vendimi i qeverisë shpreh mosbesim, refuzim dhe shpërfillje të një institucioni të saj, i cili është përgjegjës në fushën përkatëse, por siç duket lufta ligjore u shndërrua në luftë muskulore!
Janë disa faktor të cilët mund të konsiderohen të disfavorshëm për shndërrimin e “Gërmisë” në sallë koncertale, këta janë faktor historik, arkitektonik, urbanistik, psikologjik, ekonomik, kulturor …
Aspekti urbanistik: Ndërtimi (adaptimi) i sallës koncertale në zonën qendërore të Prishtinës, në të cilën fluksi është i madh, hapësirat për qasje me automjete janë të vështira, për të mos thënë të pamundura, hapësirat për parkingje janë inekzistente.
Sipas rregulloreve urb-arkitektonike çdo objekt i ndërtuar duhet të parasheh hapësirat për parkingje, të cilat i plotësojnë nevojat e objektit gjegjës. Për objekte kulturore ( teatër, kinema, salla koncertale) parashihet: 1 parking për çdo 3 performues, 1 parking për 3 ulëse të publikut, 1 parking për çdo vizitorë të rregullt për çdo 10m2 të sipërfaqës së publikut, 1 parking për 3-5 punonjës, andaj përmbushja e këtyre standardeve në këtë lokacion është vetëm iluzion, së paku në rrethanat momentale.
Aspekti arkitektonik: Hapësira ekzistuese e objektit është e pamjaftueshme për një sallë koncertale me kthinat përcjellëse, andaj do të lind nevoja për zgjerim, e kësisoj natyrshëm vlera do të shkatërrohej pothuajse tërësisht. Struktura dhe konstruksioni është i papërshtatshëm për adaptim, andaj kostoja e punëve adaptabile do të jetë shumë e lartë, ndërsa stabiliteti do të vihet në rrezik. Punimet e synuara janë rrezik potencial për dëmtime të fasadës e cila ka tendencë të ruhet.
Aspekti historik: Është objekt i cili përfaqëson një periudhë të rëndësishme historike të qytetit, ajo është pjesë kolektive e një gjenerate të tërë, është pikë reference dhe dominante në hartën kognitive të një brezi. Si objekt ishte “inovacion” i kohës, për nga struktura dhe teknologjia e ndërtimit, përmbushte nevojat e qytetarëve, ishte pikë takim, ishte dhe është pjesë psiko-sociale dhe pjesë integrale e jetës.
Aspekti ekonomik: Kostoja e shndërrimit, adaptimit është e lartë, faktori kohor është dukshëm më i madh. Pastaj ndotja ambientale: ajrit, zhurma dhe teknologjia e punës, kaosi urbanistik në këtë lagje dhe zhvendosja e institucioneve të cilat veprojnë në këtë objekt kanë implikime buxhetore.
Humbja e një objekti në qendër të qytetit me sipërfaqe rreth 5000m2, e cila mund të shndërrohej lehtë dhe me kosto të ulët në muze, hapësirë multifunksionale apo hapësirë afariste, e cila do të sillte profit për qytetin dhe në anën tjetër me buxhetin e njëjtë mund të ndërtohej salla në një lokacion tjetër. Pra në vend që të kemi dy objekte atraktive dhe funksionale, po i sakrifikojm dy për një!
Aspekti trashëgimisë: Është antiligjore që një objekt i trashëgimisë kulturore të mos mbrohet përkundër faktit që ka vlera historike, arkitektonike, shoqërore. Ky objekt është pjesë integrale e jetës së qytetit, është pjesë e historisë së tranzicionit shoqëror dhe arkitektonik, andaj me të drejt është fut në Listën për mbrojtje. Dëmtimi apo çfarëdo veprimi i paautorizuar është i dënuar me legjislacionin në fuqi, dënim i cili arrin deri në 500 mijë euro. Prishja e një objekti të trashëgimisë kulturore, për ta zëvendësuar me një objekt kulturor, duket veprim kontravers!
Aspekti socio-kulturor: Vendosja e një objekti kulturor në qendër të zonës urbane është pozitive-përparësi, për shkak të afërsisë së publikut, ndërlidhjes, qasjes së lehtë, infrastrukturës përcjellëse, kostos së ulët, e të ngjashme. Poashtu është përparësi afërsia e masës-publikut me objektet kulturore, sidomos me ato më të frekuentuara dhe më dinamike.
Por, a asocion rasti jonë me këto kritere dhe a është krahasim i duhur?
Aktivitetet koncertale zakonisht janë më të vogla në numër, edhe më të pakta në qytetin tonë, karshi aktiviteteve tjera të artit si përshembull aktivitetet ekspozuese, muzeale apo rinore.
Në rast të posedimit të një plani të fizibilitetit (e që shihet qartë se nuk është bërë një i tillë), do të vërehej nevoja më e madhe e një muzeu, galerie arti, qendre të artit kontemporan, hapësire multifunksionale apo qendre rinore, për faktin se dinamika dhe fleksibiliteti i tyre mundëson një përdorim më kuantitativ dhe kualitativ të hapësirës.
Afërsia e objektit me sheshin kryesor të qytetit është përparësi, nëse infrastruktura përcjellëse të ishte në nivelin e duhur dhe lidhja me pjesët e tjera të qytetit të ishte leht e qasëshme. Paramendojeni ardhjen e një autori më famë botërore për të performuar në këtë sallë, derisa arritja e tij nga aeroporti në sallë do të ishte më e gjatë se një orë, dhe në fund kur do të shihte sallën i gëzuar pas një stërkolone të gjatë, problemi i tij do të ishtë parkimi i veturës, mos të flasim sikur të bëhej fjalë për një grup artistësh, me gjithë aparaturën përcjellëse, e përbërë nga disa automjete!
Refuzimi i ndërtimit të sallës koncertale në objektin e “Gërmisë”, nuk është vetëm ndërtim në objektin e gabuar, është ndërtim në vendin e gabuar, andaj një SWOT analizë profesionale dhe e painfluencuar, do të sillte rezultatin e njëjtë për të gjithë. Kërkesa për të ndërruar lokacion është në të mirë të interesit shoqëror, e me theks të veçantë në të mirë të artistëve.
Implikimet negative të këtij projekti tejkalojnë shumëfish ato pozitive!
Autori është arkitekt, analist, aktivist i trashëgimisë kulturore
