Aktuale
Fushë Kosova lëshon pronat komunale me qira, por pa kontrata
Banesat lëshohen me qira, por shfrytëzuesit nuk pajisen me kontrata. Komuna e Fushë Kosovës po del të ketë shumë mangësi në menaxhimin e pronave publike.
Prej 58 shfrytëzusve të pronës publike sa janë në listën e dhënies së banesave kolektive me qira në Miradi të Epërme, vetëm 15 prej familjeve ishin pajisur me kontrata. Madje, edhe këto familje që kishin kontrata, disa prej tyre nuk ishin valide, shkruan Ndërtimi.info.
“Nga testimi i listave të 58 shfrytëzuesve të pronës publike (dhënien e banesave kolektive me qira në fshatin Miradi e Epërme) vetëm 15 familje ishin pajisur me kontrata. Nga gjashtë mostra të testuara vërejtëm se kontratat nuk janë valide në aspektin e periudhës kohore. Megjithatë, pronat shfrytëzohen ende pa ndonjë vendim zyrtar apo ripërtëritje të kontratës.”
Kjo është një prej gjetjeve që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Fushë Kosovës për vitin 2017.
E mungesën e kontrolleve adekuate dhe veprimi me kohë nga komuna lidhur me shfrytëzimin e pronës publike, auditori po konsideron se e rritë rrezikun që këto prona të keqpërdoren, dhe mjetet e parapara të mos inkasohen asnjëherë.
Zyra e Auditorit rekomandon Kryetarin e Komunës që të ndërmarr masat që sa më parë t’i pajisë qiramarrësit me kontrata për shfrytëzimin e pronave, në mënyrë që të kenë bazë ligjore për inkasimin e të hyrave nga qiradhënia e tyre./Ndërtimi.info



