Aktuale
Fshati i Vitisë që zgjidh problemet milionëshe infrastrukturore me vetëkontribut

Banorët e Stubllës së Epërme nuk kanë pritur vetëm ndihmën e institucioneve komunale apo të atyre qendrore që t`ua përmirësojnë jetën në këtë fshat që shtrihet rrëzë maleve të Karadakut.
Ky vullnet i mirë i banorëve të Stubllës ka bërë që deri sa shumica e fshatrave fqinje, shkaku i kushteve të vështira për jetë, të shpërngulen në Viti apo vende të tjera më të rrafshëta, jo vetëm të mos ketë shpërngulje por të përmirësohen kushtet deri në atë masë sa të llogaritet një nga fshatrat më të përparuara jo vetëm në Komunën e Vitisë, por edhe më gjerë dhe tanimë ka marrë pamjen e një qyteze.
“Deri më tani me vetëkontribut në fshat kemi realizuar projekte që arrijnë shumën në mbi një milion euro”, ka thënë kryetari i fshatit, Marajan Ramaj. Ai thekson se këto mjete stubllasit i kanë siguruar kryesisht nga diaspora, pasi një pjesë e madhe e banorëve punojnë përkohësisht në Itali, Zvicër apo Gjermani.
“Falë mbështetjes së mërgimtarëve si dhe punës së palodhshme të vetë banorëve të fshatit, pos përmirësimit të infrastrukturës, në fshat kemi realizuar edhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë në arsim, aktivitete kulturore e sportive etj.
“Me vetëkontribut kemi realizuar projektet që kanë të bëjnë me asfaltimin e rrugëve të lagjeve, meremetimin e shkollës dhe oborrit të saj, ndriçimin publik, parkun e fshatit, qendrën rinore etj.,”, ka thënë Ramaj. Ai ka theksuar se, pos projekteve të infrastrukturës dhe projekteve të tjera, stubllasit gjatë kësaj kohe janë dalluar edhe me grumbullim të ndihmave humanitare për familjet skamnore në fshat, si dhe në ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha.
”E jona si këshill i fshatit është të identifikojmë nevojat, kurse vëllezërit tanë në mërgim nuk hezitojnë asnjëherë që të grumbullojnë mjete për plotësimin e këtyre nevojave”, është shprehur Ramaj. Ai ka theksuar se për kompletimin e infrastrukturës në fshat, si nevojë që nuk është arritur të realizohet përmes vetëkontributit është ndërtimi i rrjetet të kanalizimit dhe ujësjellësit, pasi janë projekte me vlera të mëdha, prandaj është kërkuar mbështetja edhe e institucioneve që të ndihmojnë banorët në realizimin e këtyre projekteve.
“Komuna na është përgjigjur pozitivisht në kërkesën për rregullimin e kanalizimit, dhe tanimë kemi filluar punimet në realizimin e këtij projekti që zgjidh problemin e ujërave të zeza për afro 3 mijë banorët e Stubllës”, ka thënë Ramaj. Ai ka theksuar se, pos këtij projekti, stubllasit presin mbështetje edhe në realizimin e projektit për ujësjellës.
“Me realizimin e këtyre dy projekteve, e kompletojmë në tërësi infrastrukturën në Stubëll dhe banorëve u mbetet vetëm angazhimi për të krijuar kushte më të mira edhe për zhvillim ekonomik, ku edhe janë bërë hapat e parë, pasi qysh tani, falë bashkëpunimit me Tirolin austriak, janë tërhequr investimet në bujqësi dhe blegtori, që mundësojnë punësimin e një numri të madh të punëtorëve të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, investimet në fshatin Stubëll i sheh si një mundësi të mirë të përkrahjes së këtyre banorëve që ata të kenë kushte më të mira për jetë.
“Nga buxheti komunal këtë vit kemi filluar me realizimin e projektit dyvjeçar për rregullimin e kanalizimit. Kurse vitin e ardhshëm planifikojmë edhe rregullimin e ujësjellësit, në këtë fshat punëtorë, banorët e të cilit nuk kursejnë asgjë për të siguruar kushte më të mira për jetë”, ka thënë Haliti. Ai ka thënë se projekti i kanalizimit në Stubëll kap shumën në mbi 220 mijë euro, dhe përafërsisht edhe aq mjete do të kushtojë edhe projekti i ujësjellësit që besohet se do të realizohet në bashkëpunim me Qeverinë zvicerane dhe institucionet qendrore.
