Aktuale
“France eMotion…” me shëtitjen virtuale nëpër monumente
Qysh në hyrje të ekspozitës shpjegohet se të pranishmit duhet të shkarkojnë aplikacionin “France Emotion” në telefonat e tyre të mençur. Më pas përballja e telefonit me njërën nga fotografitë ofron një vizitë virtuale brenda monumenteve.
Drejtoresha e Aleancës Franceze në Prishtinë, Anne-Sophie Veyrier, ka thënë se kanë organizuar ekspozita të shumta, por ajo e së mërkurës është një premierë.
“Është premierë e një ekspozite me realitet të zgjeruar. Duhet shkarkuar një aplikacion në telefon për t’i parë vendet që paraqiten. Aktivizimi do të ofrojë një person që shëtit nëpër këto vende”, ka thënë ajo.
E atasheu i kulturës në Ambasadën e Francës në Prishtinë, Joseph Giustiniani, ka thënë se bëhet fjalë për një ekspozitë që ofron pamjet e pasurisë kulturore të Francës.
Në një tekst të shkruar nga kuratorja e ekspozitës, Murie Enjalran, shpjegohet se 35 poza paraqesin një pamje admiruese dhe kërshërie duke përfshirë të gjitha epokat, nga parahistoria e deri në ditët e sotme. Sipas saj, korrespodenca dhe kërshëritë manifestohen në zgjedhjen e ngjyrave, këndeve, pikëvështrimit dhe inkuadrimit.
Albina Pepshi ishte midis atyre që në fillim kanë shkarkuar aplikacionin “France Emotion”. Njohja e gjuhës franceze ka ndihmuar studentët që vizitën virtuale ta kenë më domethënëse.
“France eMotion: udhëtimi i animuar” do të qëndrojë e hapur në ambientet e Aleancës Franceze në Prishtinë deri më 12 nëntor.