Arkitekturë
Foster + Partners kompleton paviljonin e ri të “Cleveland Health”

Paviljoni i ri i Shëndetit “Samson Pavilion” i Foster + Partners festoi hapjen e tij me një ceremoni përkushtimi në Cleveland të Ohajos.
Projektuar si pjesë e kampusit të edukimit shëndetësor në Universitetin Case Western Reserve, projekti përmban një tendë që të çon në një oborr të madh të brendshëm. Paviljoni u bë si një investim në të ardhmen e edukimit shëndetësor për Case Western Reserve University dhe Klinikës së Cleveland.

Ceremonia përfshiu fjalime nga Tom Mihaljeviq, CEO dhe Drejtor i Klinikës së Cleveland, Delos (Toby) Cosgrove, CEO dhe ish-Drejtor i Klinikës së Cleveland, Barbara R. Snyder, Drejtoreshë e CWRU dhe Norman Foster.
Projekti u krijua për të kombinuar hapësirat për studentët nga shkollat mjekësore, infermierisë dhe ato dentare nën një çati, duke inkurajuar marrëdhëniet midis disiplinave për të rritur cilësinë e kujdesit.

Fakultetet e ndryshme ndajnë hapësirat e mësimdhënies, sallat e ligjëratave, zonat rekreative, kafiteritë etj. Oborri qendror Delos M. Cosgrove, me çati 80 metra të lartë, është zemra shoqërore e paviljonit. Hapësira është menduar për takime joformale apo dhe rastësore.
Foster + Partners gjithashtu krijoi pjesë të veçanta të mobiljeve për bibliotekën, sallat e takimeve, dhomat e dekanatit dhe hapësira të tjera të punës në bashkëpunim me klinikën. Paviljoni i ri u lejon studentëve të mësojnë së bashku dhe të bashkëpunojnë duke përdorur kombinimin e teknologjisë digjitale më të fundit dhe hapësirave të përbashkëta sociale, duke përforcuar qëllimin e ndërtesës për të krijuar një kujdes më të mirë shëndetësor për të gjithë.


