Aktuale
FOL: Të tregohet vlera e tokave të shpronësuara për autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/autostrada.png)
Lëvizja FOL, ka kërkuar nga Ministria e Financave që të publikojë shumën e parcelave të shpronësuara në autostradën Prishtinë-Gjilan- Dheu i Bardhë.
Me anë të një komunikatë për media, kjo lëvizje ka treguar se që nga viti i kaluar, përmes kërkesës për Qasje në Dokumente Publike, që Ministria e Financave, të bëjë publike shumën e vlerësuar për shpronësimin e pronave nga kalon kjo autostradë, mirëpo një gjet ë tillë e ka refuzuar kjo Ministri.
Sipas “FOL” arsyetimi i Ministrisë së Financave për refuzim të publikimit të të dhënave në lidhje me pronat e shpronësuara, nuk qëndron.
“FOL konsideron se arsyetimi i Ministrisë së Financave për refuzimin e publikimit të këtyre të dhënave duke u thirrur në Nenin 12, Përjashtimet e së drejtës së qasjes në dokumente 1.2. sigurisë publike, 1.6. privatësisë dhe interesave të tjerë legjitim privat të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nuk qëndron”, thuhet në komunikatë.
Janë dy arsye, sipas lëvizjes Fol, se pse publiku duhet t’i dijë këto të dhëna.
“Pronarët e kompensuar, apo ata që do të kompensohen, pranojnë mjete financiare nga buxheti i Republikës, pra nga fondet publike; dhe
Publikimi i këtyre të dhënave do të hiqte çdo mëdyshje mbi keqpërdorime financiare, apo keqpërdorime në procesin e vlerësimit të pronës së paluajtshme, nga ana e institucioneve publike dhe do e shndërronte të gjithë procesin në transparent dhe llogaridhënës”, shkruan kjo lëvizje.
Përveç kësaj, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe Avokati i Popullit, kanë rekomanduar Ministrinë e Financave, që të bëjë publikimin e vlerave të shpronësimeve përgjatë autostradës Prishtinë- Gjilan- dheu i Bardhë.
“Bazuar në këto rekomandime FOL kërkon nga Ministria e Financave, t’i zbatojë këshillën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe së fundmi edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit të cilët e thonë qartë se këto të dhëna duhet të jenë publike”, njoftohet në komunikatë.
Gjithashtu, Lëvizja Fol ka treguar që nuk do të ndalet dhe se do t’i ndjekë të gjithë hapat ligjorë, në mënyrë që Ministria e Financave të jetë transparente rreth shpenzimit të parave të taksapaguesve të Kosovës.
Në prill të vitit 2018, nën organizimin e Ministrisë së Infrastrukturës, u mbajt ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.
Ndërsa, fillimi i punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, mbajt në ditën kur u shënua 19-vjetori i “Betejës së Zhegocit”, në të cilën u vranë tetë ushtarë të UÇK-së dhe 18 civilë.
Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë do të jetë e gjatë 22.6 kilometra, me katër korsi. Kjo autostradë do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga Prishtina në Gjilan, e në këtë drejtim edhe me Kosovën Lindore dhe anasjelltas.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)