Aktuale
FOL: Autostrada për Gjilan “Udhë pa Krye”, shumë dokumente nuk janë publikuar

Pas monitorimit të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, Lëvizja FOL, ka publikuar sot raportin “Udhë pa Krye”.
Në bazë të gjetjeve gjatë monitorimit del që qysh në nisjen e punimeve për ndërtimin e kësaj autostrade të ketë pas mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve relevante.
Kështu ka deklaruar, Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL.
“Përderisa shumë dokumente nuk janë publikuar në lidhje me ndërtimin e kësaj autostrade, FOL ka marrë të gjitha veprimet e dala nga Ligji për Qasje në Dokumente Publike” në mënyrë që fati i 88 milionëve për ndërtimin e kësaj autostrade dhe shumë milionave të tjerë që do të shkojnë në shpronësim, të bëhet publik”, tha ajo.
Veç kësaj, sipas koordinatorit të projekteve në FOL Elbasan Racaj i cili edhe prezantoi të gjeturat e raportit “Udhë pa Krye”, procesi i planifikimi dhe fillimi i ndërtimit të autostradës ka qenë i mbyllur nga ana e institucioneve të vendit, e të cilët nuk kanë qenë të gatshëm të ofrojnë publikuar detajet e ndërtimit për këtë autostradë.
Ai madje ka theksuar që aty ka munguar edhe plani i menaxhimit të kontratës për autostradën Prishtinë-Gjilan, ku ka përmendur edhe që procesi i shpronësimit të parcelave ka filluar para nënshkrimit të kontratave nga Ministria e Infrastrukturës.
“Autostrada nuk ka qenë e paraparë me plan të prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës. Mungon plani i menaxhimit të kontratës për këtë autostradë. Gjithashtu procesi i shpronësimit të parcelave ka filluar pas nënshkrimit të kontratave nga Ministria e Infrastrukturës. Procesi i vlerësimit të pronave të paluajtshme nuk ka përfunduar në tërësi”, tha ai duke shtuar se Ministria e Financave, ka refuzuar të ofrojë të dhënat mbi shumat financiare të vlerësimit të deritanishëm të pronave të paluajtshme, duke e bërë këtë proces të mbyllur.
Ndërsa, Hilmi Jashari, Avokat i Popullit tha se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të jenë llogaridhënëse dhe duhet të përgjigjen në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike.
“Secili institucion i cili prodhon një dokument duhet të klasifikohet në atë moment se a është dokument për qasje apo dokument i klasifikuar, e jo në momentin që kanë një kërkesë të dalin me përgjigje si në rastin e Lëvizjes FOL”, tha Jashari, duke shtuar se kjo do të lehtësonte punën e institucioneve si dhe palëve të interesuara.
Sipas tij, në rastet e shpronësimeve nuk është problemi veç me ligjin për qasje por edhe me Ligjin e Shpronësimit.
“Qytetarët e pakënaqur me vlerësimin e pronave të shpronësuar kushtëzohen me pesë kopje të ankesave që i dërgojnë në MMPH përveç padisë që duhet ta bëjnë në Gjykatë”, tha ai.
Sipas Jasharit, Institucioni i Avokatit të Popullit së shpejti do të del me një rekomandim sa i përket ankesës së Lëvizjes FOL, ngase mendojmë se shpenzimet e parasë publike duhet të jenë publike për qytetarët.
Ndërkaq, Kushtrim Musatafa nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se pas marrjes së kërkesave nga Ministria e Financave dhe Avokati i Popullit, janë shqyrtuar të dyja dhe se Agjencia javën që vjen do të dal me vendim përfundimtar sa i përket çështjes së publikimit të vlerave të parcelave të shpronësimit.
“Siç e dimë, Lëvizja FOL ka kërkuar vetëm numrin e parcelës dhe çmimin e vlerësuar. Në anën tjetër e kemi vendimin përfundimtar të Qeverisë të publikuar në gazetën zyrtare ku janë edhe emrat e përfitueseve dhe numrat e parcelave, andaj nuk kemi vërejt që një gjë e tillë cenon të dhënat personale”, tha Mustafa.
Kurse, prokurori Besim Kelmendi, ka thënë se nuk mund të flas rreth hetimeve, për shkak se mund të pengohen fazat e grumbullimit të informatave dhe hetimeve.
“Ju inkurajoj që të vazhdoni këtë punë në kërkim të llogaridhënies së institucioneve. Ky raport do përcillet tek prokurori. Mos transparenca shkel barazimin e çdo qytetari, kjo do të ishte keq nëse qytetarët nuk paguhen njëjësoj sa i përket shpronësimit të pronës së tyre”, tha ai.
