Aktuale
Flasin familjarët e punëtorit të vdekur në Bechtel-Enka
Një punëtorë në Kaçanik në paraditën e së hënës (dje)ka ndërruar jetë deri sa po bënte roje në punishten e kompanisë “Bechtel Enka”.
Rastin e kanë konfirmuar kompania “Bechtel Enka” dhe policia e rajonit të Ferizajt për Ndërtimi.info
Zëdhënësja e kompanisë “Bechtel Enka”, Ela Ruci i tha Ndërtimi.info se punëtori ka vdek në vendin e punës, por që ai nuk është i kompanisë që ajo përfaqëson por është roje e një kompanie të sigurimit e cila mbikëqyrë sigurinë e kësaj punishte.
Tutje ajo tha se sipas të dhënave nga Mjekësia Ligjore, punëtori të cilit nuk iu tregua mosha, ka pasur një atak në zemër.
“Më saktë punëtori nuk është i joni, është punëtor i kompanisë së sigurisë dhe rrethanat sipas mjekësisë për momentin që jemi informuar ne ka pas një atak në zemër”, tha Ruci
Xhaxhai i të ndjerit thotë se ai kishte një muaj që kishte nisur punën si rojtar në këtë kompani dhe se nuk kanë vërejtur ndonjë shenjë se po vuante nga ndonjë sëmundje. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, i ndjeri kishte marrë rrugën për në Evropë përmes Serbisë, por nuk ia kishte arritur qëllimit.
Miq të familjes kanë rrëfyer për televizionin se Afet Provoliu ishte student i dalluar i stomatologjisë, por studimet i ndërpreu për shkak të problemeve ekonomike.
Njëri nga personat e afërt të familjes ka bërë të ditur se Afeti nuk ishte pajtuar me faktin se ai nuk po mund t’i ndiqte studimet dhe se një gjë e tillë e mërziste shumë.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizaj, Agim Gashi ka konfirmuar se punëtori ka vdekur në vendin e punës, por që nuk ka pranuar të jap më shumë detaje deri sa nuk e kanë raportin e Mjekësisë Ligjore.
“Nuk mundemi me dhënë detaje pa e marr raportin e Mjekësisë Ligjore, jemi duke e pritur raportin. Personi në vend pune ka qenë, është alivanosur, e kanë dërguar në ambulant në Ferizaj dhe na kanë kontaktuar që ka ndërruar jetë, kaq. Është roje sigurimi në kompaninë ‘Bechtel Enka’”, tha Gashi.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.