Arkitekturë
Flaka Syla, ndër pjesëtaret e garës për arkitekturë në “FutureArchitecture”
Flaka Syla, një arkitekte e re nga Prishtina është bërë pjesë e garës në platformën sllovene Future Architecture me projektin e saj Future Housing.
Objektivi i projektit “Future Housing” është përshtatja e njësisë së banimit me kërkesat e së ardhmes.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është sigurimi i banesave ekonomikisht të përballueshme për të gjithë bazuar në ndryshimet e pritshme në demografi, strukturën e familjes, si dhe kërkesat e së ardhmes, në mesin e të cilave hyjnë lëvizshmëria dhe përshtatshmëria e njësisë kudo që dëshironi të jetoni.
Emëruesi i përbashkët i çdo dite të jetës sonë është lëvizja. Duke u përqendruar në strehimin ekonomik të së ardhmes, ky projekt ofron disa zgjidhje logjike për probleme që racionalizojnë jetën e përdoruesit. Në ditët e sotme, njerëzit duan të jetojnë në vende të ndryshme përgjatë viteve, andaj lind pyetja se si ndërtohet dhe zhvillohet ajo ndërtesë, shtëpi apo apartament i veçantë. Ideja e krijimit të qëndrueshmërisë në të gjitha disiplinat është sfida më e madhe e revolucionit të katërt industrial në të cilin ndodhemi momentalisht, andaj kjo ide është trajtuar thellësisht edhe në këtë projekt. Kështu, janë modeluar me kujdes 24 njësi me dimensione të ndryshme A x B, ashtuqë të përshtaten me çdo vendndodhje dhe situatë. Njësitë formohen nga elemente të parafabrikuara që krijojnë mundësinë për rregullim të shpejtë dhe lëvizshmëri nga një vend në tjetrin. Ato janë formuar në konceptin e arkitekturës metabolike, e cila nënkupton funksionimin e një ndërtese si një organizëm i gjallë.
Future Architecture Platform prezanton dhe feston inovacionin, eksperimentimin dhe idetë e një brezi që do të dizajnojë arkitekturën dhe do të ndërtojë qytetet e Evropës në vitet në vijim. Kjo platformë promovon inovacionin, arkitekturën, kulturën, njohurinë dhe kapitalin social evropian, përmes një platforme të përbashkët.
Ju mund të votoni për projektin e Flakës duke klikuar në opsionin “I like this”, që gjendet në linkun: https://bit.ly/35BWWzS