Aktuale
Fillojnë punët për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit

Nga sot të rinjtë e Rogovës së Hasit do të kenë ku t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre kulturore, pasi që sot është vënë gurthemeli i Qendrës së Kulturës në këtë fshat të Gjakovës.
Me rastin e vënies së gurthemelit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se përmes ndërtimit të kësaj qendre kulturore po ia kthejnë dinjitetin kulturor banorëve të këtij fshati.
Ai tha se ministria që ai udhëheqë ka ndarë 1 milion euro për këtë projekt.
“Ne me projektin që po e fillojmë po ia kthejmë edhe dinjitetin në kuptimin kulturor kësaj treve meqë ky vend ka pasur një traditë të zhvillimit të aktiviteteve kulturore dhe Ministria e Kulturës ka ndarë rreth 1 milion për investimin e këtij projekti. Uroj që kompania që është duke i zhvilluar punimet të punojë intensivisht në mënyrë që në afat rekord ta përfundojmë këtë projekt”, tha Gashi.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini duke shprehur i lumtur për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Rogovë, tha se ky projekt do të ketë ndikim në jetën kulturore të Rogovës dhe fshatrave për rreth.
“Është një projekt që ka qëndruar në sirtar për një kohë të gjatë, i ka ardhur radha edhe këtij projekti dhe unë jam shumë i lumtur si kryetar i komunës…Është një projekt që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore, por jo vetëm në jetën kulturore në Rogovë të Hasit dhe në fshatrat për rreth”, tha ai.
Përfaqësuesi i fshatit Rogova, Islam Gashi tha se kjo qendër, gurthemeli i së cilës u vu sot ka rëndësi të veçantë për banorët e këtij fshati.
Ai u shpreh se ndërtimi i kësaj shtëpie kulturore krijon kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve kulturore për të rinjtë.
“Me funksionim e kësaj shtëpie ofrohen kushtet më të mira për aktivitetin e të rinjve, për nxënësit e shkollës fillore “Haxhi Hoti”, për gjimnazin “Asllan Berisha, për ansamblin kulturor të fshatit ” Isa Boletini” ku dita ditës po rritet, ansambli ka qenë edhe përpara aktivitetin nuk ka mundur që ta zhvilloj por tani kemi kushte në ndërtimin e shtëpisë së kulturës që të tregojmë dhe të paraqiten talentë të rinj sepse kemi një gjenerat e rini shumë aktive”, tha ai
