Aktuale
Fillojnë procedurat për parkingun nëntokësor te Filologjiku

Më shumë se 500 vendparkime nëntokë do i shtohen kryeqytetit në dy vitet e ardhshme. Aq është numri i automjeteve që do mund të parkohen në Parkingun Nëntokësor te Fakulteti Filologjik, ndërtimi i së cilit pritet të fillojë në shtator të këtij viti.
Punimet për ndërtimin e këtij parkingu pritet të zgjasin jo më pak se 18 muaj, gjithmonë në rast se gjithqka shkon me dinamikën qw parashihet me kontratë.
Për realizimin e këtij projekti që ishte kërkesë e kahmotshme e qytetarëve, parashihet të shpenzohen hiç më pak se 12 milionë euro.
Ky investim, që nga Komuna e Prishtinës po cilësohet të jetë si një prej investimeve më të mëdha në kryeqytet, do të realizohet në partneritet publiko-privat, përkatësisht me koncesion, shkruan Ndërtimi.info
Së paku kështu thuhet në njoftimin e kërkesës për kualifikim koncsion-vazhdim afati, që ka publikuar Komuna e Prishtinës në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Projektimi, ndërtimi, financimi, operimi dhe bartja e parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë, janë punët që duhet t’i kryejë kompania që fiton tenderin.
Kërkesa minimale të komunës lidhur me këtë projekt janë 500 vendparkime nëntokë dhe 500 metra katrorë hapësirë komerciale për ndërtimin e lokaleve në pjesën e sipërme.
“Komuna e Prishtinës kërkon parashtrimin e deklaratave për kualifikim me qëllim të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik dhe konzorciumeve të operatorëve ekonomik që posedojnë kapacitetet e duhura ligjore, teknike dhe financiare për të marrë pjesë në procedurën konkurruese të tenderit për projektimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe bartjen e Parkingut Nëntokësor duke përfshirë por pa qenë e domosdoshme edhe objekte afariste (“Objekti”) në Lokacionin te Fakulteti Filologjik në Prishtinë përmes Partneritetit-Publiko-Privat (‘PPP’)”, thuhet në njoftimin që ka publikuar Komuna në KRPP.
Gjersa, kohëzgjatja e kontratës do të jetë prej 25 deri në 40 vite, varësisht prej ofertave që dorëzojnë kompanitë.
Për ndërtimin e këtij parkingu, ishte deklaruar javë më parë edhe vet i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ai kishte treguar se në fazën e parakualifikimit do të kalojnë vetëm kompanitë/konzorciumet që kanë dëshmi të përvojës dhe dëshmi të kapacitetit financiar.
“Në sipërfaqe do të zgjerohet hapësira gjelbëruese duke rritur parkun qëndror të Prishtinës. Punimet priten të fillojnë sivjet dhe të zgjasin 18 muaj”, ka shkruar Ahmeti.
Projekti do të përfshijë ndërtimin e parkingut nëntokësorë, mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” si dhe ndërtimin e parkut qendror mbi parking./Ndërtimi.info
