Arkitekturë
Fasadimi në Kosovë – jo vetëm fytyra e objekteve
Zor se mund të gjenden sot objekte pa fasadë. Fasadimi është dora e fundit që i jepet një objekti, rrjedhimisht është edhe fytyra e objektit. Ato janë të ndryshme sikur në forma ashtu edhe në ngjyra. E gjitha u mbetet në dorë vetë klientëve.
Se cilat janë më të mira dhe që përdoren në Kosovë ka folur arkitekti Shkelzen Ahmetxhekaj, shkruan Ndërtimi.info.
“Në treg përdoren fasada të ndryshme si fasadat me suvatim, apo fasadat strukturale, ku më e përdorura në Kosovë është fasada me suvatim për shkak edhe të çmimit është më e përballueshme për klientin edhe pse tani konsumatori ka një laramani të zgjidhjes”, ka thënë arkitekti.
Ahmetxhekaj ka treguar në mes të tjerash se kohët e fundit po aplikohen mjaftë shumë kombinimet me fasadat dhe llojet e tjera të materialeve si druri dhe tulla. Një rëndësi të veçantë ka edhe izolimi dhe mënyra se si bëhet ai.
“Izolimi bëhet me pllaka termoizoluese dhe stiropol, ku trashësia e stiropolit shkon 8-10 cm, mirëpo është e favorshme që të shkohet me trashësi deri në 20 cm apo 25 cm varësisht prej mundësive të klientit”, ka sqaruar Shkelzen Ahmetxhekaj.
E në anën tjetër mjeshtëri i kahmotshëm i cili merret me fasadimin dhe dekorimet e ndryshme si jashtë ashtu edhe brenda shtëpive, Bekim Gashi ka treguar se si banesat ashtu edhe shtëpitë duhet të jenë gjithsesi të fasaduara kjo për arsye të ruajtjes së temperaturave konstante.
“Fasadat e jashtme, fasadat e brendshme dhe fasadat termoizoluese janë fasadat kryesore. Fasadat e jashtme aplikohen më shumë te ne në Kosovë për shkak të strukturës dhe estetikës së jashtme. Fasadat me stiropol apo me stridore janë fasadat më të përdorshme momentalisht në Kosovë, si dhe blloqet me leshgurit të cilat përdoren por më rrallë për shkak se janë më të kushtueshme” ka sqaruar ai.
Gashi ka theksuar se fasadat e jashtme të cilat gjejnë një zbatueshmeri të gjerë në treg janë fasadat me stiropol kjo për shkak të çmimit më të volitshëm të cilin e kanë.
E sa i përket kualitetit të fasadave të cilat qarkullojnë në treg Gashi ka treguar se kualiteti i materialit të fasadave varet krejtësisht nga prodhuesi dhe sa është kompania në fjalë me emër në vend kjo e bënë që edhe cilësia e materialit të jetë më e mirë.
Fasadimi duhet të bëhet gjithherë në përputhje me temperaturat të cilat mbizotërojnë edhe në ambientin e jashtëm. Këshillohet që ato të mos jenë më të ulëta se 5 gradë dhe jo më të larta se 30 gradë celsius .
“Fasada termoizoluese JUBIZOL mund të vendoset vetëm në kushte të përshtatshme të motit respektivisht në kushte të përshtatshme mikroklimatike: temperatura e ajërit dhe bazës së murit nuk duhet të jetë më e ulët se +5 oC dhe jo më e lartë se +30 oC; lagështia relative e ajërit jo më e lartë se 80%. Sipërfaqet e fasadës duhet të mbrohen nga dielli, era dhe reshjet me perde, por pavarësisht nga një mbrojtje e tillë nëpër shi, mjegull dhe erë të fortë (≥30 km/h) fasada nuk mund të vendoset”, kanë thënë nga kompnia e fasadave Jub.
Çmimi për 1m2 fasadë të jashtme fillon nga 20 euro e i cili shkon deri në 35 euro varësisht prej vendit, hapësirës e cila do të fasadohet dhe materialit i cili do të përdoret.
Ajo çfarë sugjerohet për qytetarët janë fasadat termoizoluese e cila bëhet me trashësi të konsiderueshme të stiropolit, dhe të kenë kujdes me klientelën.