Aktuale
Fairs: U deshën vetëm 20 dollarë për krijimin e “Dezeen”
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/dezeen.jpg)
“Dezeen” është revista e arkitekturës më me influencë dhe më e famshmja në botë. Për 13 vite kjo revistë ka arritur t’i mbërrijë majat dhe të marrë një numër të madh çmimesh ndërkombëtare për gazetari, në lëmin e arkitekturës dhe dizajnit.
E pas suksesit të kësaj revisteje që publikon lajme për arkitekturë, dizajn, enterier, teknologji, video story e intervista, qëndron një person i rëndësishëm, themeluesi e kryeredaktori i saj, Marcus Fairs.
Fairs po qëndron në Kosovë në kuadër të edicionit të shtatë të Festivalit të Arkitekturës, me ç’rast para publikut kosovarë dhe të gjithë arkitekt-dashësve, mbrëmë mbajti një ligjëratë të hapur në hapësirat e “Kino Armatës”.
Ai tregoi për karrierën e tij profesionale dhe shndërrimin e revistës “Dezeen” nga ueb faqja me “dizajnin më të keq në botë”, në revistën me ndikimin më të madh.
Fillet e para të karrierës së Marcus Fair
Fair tha se eksperienca e tij në fillimet e zhvillimit të profesionit si gazetar ishte interesante dhe jo e lehtë dhe tregoi për sfidat që i kishte pasur në fillim të këtij rrugëtimi.
“Kur isha student nuk e dija se çfarë dëshiroja të bëja. Isha i mirë në shumë gjëra, por jo në ndonjë gjë në veçanti. Arkitektura dhe dizajni kanë lënë një përshtypje të madhe tek unë. Mu deshën rreth 10 vite kohë që ta kuptoja se doja të bëhesha gazetar, por është shumë e vështirë të depërtosh në gazetari”, deklaroi ai.
I diplomuar në dizajnin 3D, Marcus filloi karrierën të gazetarisë duke shkruar për revistën Design Building dhe më vonë për Building, ku u bë edhe zëvendës redaktor. Ai gjithashtu bënte shkrime të pavarura që dolën në medie të njohura si në Blueprint, The Guardian, Conde Nast Traveler, e shumë tjera.
Megjithëkëtë, revista e tij e parë, e së cilës kishte qenë pjësë e për të cilën kishte shkruar, nuk kishte të bënte me gazetari.
“Revista e parë për të cilën kam punuar ka qenë një revistë për yjet e popit dhe kuize e gjëra të tilla”, rrëfen ai.
E një eksperiencë shumë dobiprurëse për zhvillimin e njohurive në fushën e arkitekturës, për të, ka qenë ajo në revistën e arkitekturës “Icon”.
Krijimi i “Dezeen” u bë nga vetëm 20 dollarë
Diçka për të cilën nuk u nevojitën investime të mëdha financiare rezultoi në një sukses të madh. Ky ishte krijimi i një faqeje online të profilizuar, si ” Dezeen”.
“Kisha ambicie të shkruaja një libër për dizajnin e shekullit XXI, i cili realisht më solli shumë suksese por më futi edhe në telashe. Për shkak se nuk kisha treguar për këtë gjë tek shefët e mi, më pushuan nga puna. Për një kohë mbeta vetëm dhe pa punë. Më pas më lindi ideja që ta krijojë një ueb faqe, e kisha në mendje emrin ‘Dezeen’ kështu që me 20 dollarë e fillova biznesin tim, 10 dollarë për ta blerë emrin dhe 10 dollarë për gjëra tjera. Në fillim nuk kisha ide se çfarë isha duke bërë. Një shok më ndihmojë me wordpress dhe më pëlqente ideja se do ta krijoja një ueb faqe, por ishte ueb faqja me dizajnin më të keq në botë. Ishte vetëm një vend për t’i paraqitur projektet”, tregon ai.
Ai tregoi edhe domethënien e emrit “Dezeen” dhe funksionin e saj.
“Kuptimi i parë i revistës Dezeen është Design Magazine.
Është faqe që shkruan për arkitekturën, dizajnin e enterierit dhe lloje të tjera të dizajnit si dhe pak edhe për teknologji. ‘Dezeen’ është një faqe me ndikim të madh në arkitekturë dhe është lehtësisht e qasshme. Jemi ndër top faqet më të mira për arkitekturë, në mbarë botën. Gjithashtu marrim edhe një numër të madh të komenteve. Ne prodhojmë gjithashtu edhe një numër të caktuar videosh dhe faqja ka më shumë se 1 milion pëlqime në facebook dhe një numër të madh ndjekësish në rrjetet e tjera sociale, si në ‘Instagram’.
Audiencën më të madhe e kemi në Britani të Madhe, Australi e vende tjera.
Shpresoj që në vitet e ardhshme edhe Kosova të jetë ndër top vendet që e përcjellin më së shumti faqen tonë”, thotë ai.
Ndikimi i Kanye West në rritjen e “Dezeen”
Se “Dezeen” ëshë revista më e preferuar për të gjithë arkitektët, dizajnuesit dhe jo vetëm, tashmë është dëshmuar në mënyra të ndryshme. Por, është edhe një figurë e rëndësishme e botës së show bizit e dizajnit që ndihmoi në rritjen e saj gjatë kohës kur po bënte hapat e parë.
“Shkova në Miami tek një festë që po e organizonte një shok i imi dhe aty pash Kanye West. E përshëndeta dhe më pas filloi të më tregojë për koleksionin e tij të dizajnit, për dizajnin e apartamentit të tij të ri dhe i thash: – ‘a mund ta publikojë apartamentin tënd në faqen time të dizajnit’.
Ai tha ‘sigurisht bisedo me publicistët e mi’.
Publicisti i tij më dërgoi fotot e para ekskluzive të apartamentit të Kanye West.
Kisha një ekskluzivitet të madh në dorën time.
Fotografitë sollën një numër të madh komentesh. Komuniteti i hip-hop-it, në New York kishte zbuluar apartamentin e Kanye-it dhe filluan të bënin pyetje të shumta.
Falë Kanye West faqja ime pati një sukses shumë më të madh”, rrëfen Fairs.
Tutje ai ka treguar edhe për synimet e kësaj medie dhe për rrugën të cilën duhet ndjekur.
“Ne përpiqemi të jemi në hap me ngjarjet më kryesore të së tashmes. Mundohemi qe ta çojmë dizajnin dhe arkitekturën në një rrugë të progresit.
Në këtë kohë të ‘fake news’, është shumë e rëndësishme që të kemi guxim dhe ta çojmë gazetarinë përpara. Të jemi të sinqertë dhe të besueshëm”, potencoi ai.
Sipas Fairs, një rol të rëndësishëm luan edhe barazia gjinore në vendet e punës, për ta zhvilluar biznesin.
“Kemi 50% të grave të pranishme në medien tonë në revistën më të njohur të arkitekturës, për të pasur kështu barazi gjinore, sepse kjo gjë është shumë e rëndësishme për të ecur përpara”, theksoi ai.
Marcus Fairs është gazetari i parë digjital që ka marrë një bursë nderi nga Institutit Mbretëror i Arkitektëve Britanikë, për “kontributin e madh që ai i ka bërë arkitekturës”. Ky nderim atij iu bë në janar të 2017-tës.
Në vitin 2018 ai u emërua njëri ndër 1 mijë personat me ndikimin më të madh në Londër, nga “Evening Standard”.
Çmime të tjera që ai ka fituar përfshijnë gazetarin më të mirë të vitit (2002) dhe gazetarin më të mirë të fushës së arkitekturës(2004).
Edhe revista “Dezeen” në vete mbanë mbi supe një numër të madh çmimesh e mirënjohjesh e njëherësh është edhe web faqja më e komentuar në internet, për arkitekturë e dizajn./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)