Connect with us

Aktuale

Europës i duhet një përgjigje ndaj rrugës kineze të mëndafshit

Published

on

Përmes rrugës së re të mëndafshit Kina po fiton gjithnjë e më shumë influencë në Europë. Për këtë arsye europianëve u duhen strategji të veta të investimeve, thotë eksperti i Kinës Moritz Rudolf në intervistë për DW.

Deutsche Welle: Kina që prej pesë vjetësh po ndërton rrugën e re të mëndafshit, të ashtuquajturën “Belt and Road Initiative” (BRI). Sipas të dhënave të Kinës, do të investohen gjithsej rreth një bilionë Dollarë në mbarë botën në infrastrukturë, për të zgjeruar rrugët e tregtisë dhe kësisoj për të forcuar edhe më shumë ekonominë e Kinës. Ndërkohë fundi i rrugës së mëndafshit ndodhet në Europë. Edhe në vendet si Hungaria, Greqia e në periferi të BE-së si në Mal të Zi apo Serbi është duke investuar Republika Popullore e Kinës. A ka BE-ja ndonjë kundërstrategji?

Moritz Rudolf: Unë besoj, që BE-ja ka fjetur shumë gjatë dhe tani gradualisht ka nisur të zgjohet. Mendohej se mund të vazhdonin të kishin efekt mjetet e sprovuara. Por tashmë ka një tërheqje nbga kjo logjikë dhe po punohet për një përgjigje konkrete ndaj nismës së rrugës së mëndafshit, e cila bazohet edhe në investimet në infrastrukturë.

DW: Çfarë flet kundër projektit të rrugës së mëndafshit nisur nga perspektiva europiane?

Moritz Rudolf: Unë mendoj, se nëse tani synohet vetëm infrastruktura, atëherë objektivisht kjo është diçka e mirë. Por ky është vetëm një aspekt i pjesshëm i nismës. Me të synohet në fakt – sikurse bëhet e qartë edhe nga disa dokumenta zyrtare të BRI – edhe që Kina „do të vendosë standarde globale, tek të cilat të mund të orientohet bota.” Në këtë drejtim mund të thuash, se Europës po i afrohet një sfidë e madhe.

DW: Si i vendos Kina këto standarde të veta?

Moritz Rudolf: Në shumicën e projekteve të infrastrukturës, që po realizon Kina në vende të ndryshme, përfshihet edhe një klauzolë: në rast mosmarrëveshjesh, do të merret si bazë e drejta kineze. Në nismën për rrugën e mëndafshit në fund ke projekte ekonomike, që realizohen në kushte tërësisht kineze, në shumciën e rasteve me ndërmarrje kineze, me punëtorë kinezë, sipas së drejtës kineze dhe në rast konflikti vendosin gjykatat kineze të arbitrazhit. E gjitha kjo në pragun e portës sonë. Shtimi i gjykatave kineze të arbitrazhit është aktualisht një nga pikërëndësat e kësaj nisme. Një hap i tillë nuk është i pazakontë. Këtë e bëjnë vendet, që duan të fuqizohen dhe Kina e bën këtë tani me një vetëbesim të madh.

DW: A po përpiqet Kina përmes nismës së rrugës së mëndafshit të vendosë në botë edhe vlera të reja?

Moritz Rudolf: Standardet etike përfshihen masivisht në nismën e rrugës së mëndafshit. Madje shpesh herë ato bien ndesh me vlerat liberale në Perëndim. Republika Popullore e Kinës është një shtet autoritar dhe respektivisht ka një tjetër komportim ndaj botës. P.sh. kemi të bëjmë me raportin mes të drejtave individuale të njeriut dhe të drejtat kolektive të njeriut. Cili është qëllimi? A duhet që qytetari si individ të luajë një rol qendror? Apo synohet që „e drejta për zhvillim” të jetë synimi prioritar? Përgjigja kineze është e thjeshtë: Zhvillimi duhet të jetë në qendër të vizionit kinez të globalizimit – të drejtat individuale të njeriut luajnë një rol dytësor dhe nuk përmenden në dokumentat zyrtare të qeverisë kineze. Kjo është në kundërshtim me modelin europian. Po ashtu qeveria kineze kohët e fundit madje ka nisur të flasë që do ta përçojë në botë „urtësinë kineze” dhe përvojën.

DW: A shihni një rrezik, që përmes investimeve bëhen përpjekje për influencë politike në Europë?

Moritz Rudolf: Në Mal të Zi raporti i varësisë nga Kina është mjaft i madh. Edhe Hungaria është një vend, që e shfrytëzon me rafinesë nismën e rrugës së mëndafshit duke i nxitur kundër njëra tjetrës BE-në dhe Kinën. Greqia vitin e kaluar në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së – ndryshe nga vendet e tjera të BE-së – nuk i kriitkoi standardet kineze të të drejtave të njeriut. Dihet se sa të mëdha janë investimet kineze në portin e Pireut. Shtetet e BE-së duhet të peshojnë mes vlerave të BE-së dhe investimeve të Kinës e kjo shpesh çon në atë, që të mendohet mirë se si duhet pozicionuar publiksiht ndaj Kinës.

DW: Në kuadër të mekanizmit 16+1 Kina negocion edhe me vendet në Europën Qendrore dhe Lindore për investime. A mundet që në këtë mënyrë Kina të përpiqet ta përçajë BE-në?

Moritz Rudolf: Unë nuk besoj, që Kina përpiqet ta bëjë këtë qëllimisht, të përçajë BE-në në mënyrë që BE-ja të jetë e dobët. Këtë gjë e bëjnë vet vendet anëtare të BE-së. Pekini shfrytëzon natryisht dobësin e Europës, për të çuar përpara nismën e vet. Por sipas mendimit tim do të ishte një fitim i madh për qeverinë kineze, që të arrinte në një kompromis me Brukselin. Por aktualisht unë personalisht jam skeptik për këtë. Ndërkohë që mendoj, se Europa duhet të gjejë një përgjigje të koordinuar europiane ndaj rrugës së mëndafshit, për t’u pozicionuar si e barabartë ndaj kësaj nisme. Pas pesë vjetësh të nismës së rrugës së mëndafshti një gjë e tillë është mëse e domosdoshme.

Moritz Rudolf ka studiuar juridik dhe ekonomik në Gjermani dhe në Kinë. Pas disa vjetësh punë në institutin Merics (Mercator Institute for China Studies) në Berlin ai themeloi firmën e konsulencës Eurasia Bridges. Me këtë ai do të prezantohet si ndërmjetsues neutral i dijes mes Kinës dhe Europës. Ndër të tjera ai konsulton sipërmarrjet në Kinë dhe në Europë, në mënyrë që prej nismës së rrugës së mëndafshit të mund të përfitojnë Europa, Kina dhe vendet e treta.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending