Aktuale
Ende nuk ka datë për fillimin e punimeve në autostradën Shkup-Bllacë

Edhe përkundër intensifikimit të takimeve në Shkup për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë akoma nuk jepet një datë konkrete se kur mund të fillojnë punimet në këtë projekt.
Gjatë javës së kaluar në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane në Shkup u mbajt takimi ku u shqyrtuan mundësitë dhe u identifikuan hapat e parë për përgatitjen dhe realizimin e projektit, por të pranishmit dhe kompetentët nuk shpalosën një datë konkrete apo muaj se kur parashikohet të fillojnë punimet.
Indeksonline ka tentuar të kontaktojë me ministrin Bujar Osmani, i caktuar si koordinator i grupit Ministror për projektin në fjalë por ky i fundit i pa kapshëm për prononcim.
Edhe nga qeveria në Shkup për detaje na drejtuan tek Sekretariati për Çështje Evropiane, por se për ngecjet në këtë projekt i arsyetojnë me mos pasjen e dokumentacionit teknik, andaj edhe është vonuar realizimi i këtij projekti.
Projekti Shkup-Bllacë është projekt kompleks me të cilën parashihet ndërtimi i infrastrukturës rrugore me një fushë të ndërlikuar në të cilën është paraparë ndërtim i disa tuneleve dhe urave.
Me ndërtimin e kësaj autostrade, si dhe me punimet drejt fundit që ka Kosova në autostradën Arbën Xhaferi, udhëtimi nga Shkupi për Prishtinë do të zgjasë më pak se një orë.
Kohë më parë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi kishte njoftuar se Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që autostrada Shkup-Bllacë të fillojë të ndërtohet në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm
