Aktuale
“Elena Gjika” drejt rinovimit pa lejen e institucioneve të trashëgimisë
Komuna e Prishtinës dhe agjencia turke për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar – TIKA kanë projektuar ndërhyrje për rinovimin e shkollës fillore “Elena Gjika”, pa marrë pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Fillimi i rinovimit është çështje ditësh e në anën tjetër Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve – që miraton apo refuzon projektet për ndërhyrje në asete të trashëgimisë kulturore – që ndodhet krejt afër kësaj shkolle, nuk ka pranuar kurrfarë kërkese. Përderisa Komuna e Prishtinës konsideron se ndërhyrja do të bëhet vetëm në muret e brendshme dhe nuk ka nevojë për leje, udhëheqësit e IKMM-së kanë thënë se në një rast të tillë do të shkelej Ligji për trashëgimi kulturore.
Komuna Prishtinës, as para dy vjetësh nuk ishte pajisur me leje për ngjyrosjen e disa klasave të kësaj shkolle që mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore i shekullit XX.
Të martën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi me Hasan Burak Ceran, shef i zyrës së TIKA-s për Kosovë, për rinovimin dhe pajisjen e kësaj shkolle me inventar.
“‘Elena Gjika’ ka qenë në një gjendje të rëndë sa i përket infrastrukturës. Kemi gjetur mbështetjen ta rinovojmë me TIKA-n”, citohet të ketë thënë Ahmeti.
E shefi i Zyrës Tika në Kosovë, Hasan Burak Ceran, ka thënë se rinovimi do të bëhet në kohën e duhur.



