Aktuale
Eksplodohen ndërtesa në Fier, u ndërtuan “paushall”

Në Fier, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) rrafshoi me shpërthim të telekomanduar dy ndërtesa katërkatëshe në anë të Gjanicës. Javën tjetër pritet të hidhet në erë edhe një hotel i madh.
Fiks në orën e paralajmëruar 13.00, dy godina 4 katëshe në anë shtratit të lumit Gjanica në Fier u hodhën në erë.
Një shpërthim i vetëm i telekomanduar, që u përgatit përgjatë javës që shkoi rrëzoi përdhe dy nga 3 ndërtesat, që janë parashikuar të rrëzohen me lëndë plasëse. Për këtë u përdorën afro 25 kilogramë tritol.
Audiencën e lartë do ta kishte zili salla e teatrit Bylis. Qytetarët e ndoqën këtë operacion që nga fillimi i javës, kur fadromat rrëzuan ndërtesat 2 katëshe, ndërsa shfaqja e vërtetë ishte kjo e së dielës.
Operacioni i i IKMT për prishjen e objekteve në anë të lumit Gjanica nisi në fillim të javës, 5 ditë pasi pronarët u njoftuan zyrtarisht.
Prishja e 40 objekteve i paraprin projektit për rikonceptimin e qendrës së Fierit. Një projekt ambicioz i mbështetur nga qeveria shqiptare ishte mënyra e vetme për t’i rrëzuar ato që njiheshin si pasuritë e të fortëve të Fierit.
Kostoja e shpronësimeve shkon në 4 miliardë lekë. Ndërtesat mbi Gjanicë nisën të ndërtoheshin pas vitit 1990.
Ato zaptuan atë që njihej si parku qendror i Fierit. Ndërtimet u toleruan nga pusheti lokal dhe qeveritë njëra pas tjetrës deri sa përfituan edhe nga procesi i legalizimit. Javën që vjen do të shembet me lëndë plasëse ndërtesa e fundit e njohur si hotel “Shkëlzeni”.
