Aktuale
Ekspertët e Abu Dabit inspektojnë punimet e rrugës Tiranë-Elbasan
Një delegacion me ekspertë teknikë nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit vizitoi së fundmi Tiranën për të vlerësuar gjendjen e tre projekteve të financuar prej fondit, projektin për Rehabilitimin e Lumit të Tiranës, atë të Bulevardit Verior të Lumit të Tiranës, si edhe rrugën Tiranë-Elbasan.
Pasi inspektoi punimet në terren, delegacioni përditësoi progresin e këtyre projekteve me një vlerë totale financimi prej 423.6 milionë dirham, ose rreth 98 milionë euro.
Për projektin e rehabilitimit të Lumit të Tiranës, u vlerësua se kanë përfunduar 70% të punimeve dhe pritet dorëzimi në tremujorin e dytë të vitit 2018.
Sa i takon bulevardit verior, financuar me një kredi prej 31.5 milionë eurosh, delegacioni konfirmoi se janë kryer gjysma e punimeve ku përfshihet edhe një parkim nëntokësor me 333 vende parkimi dhe pika karikimi për makinat elektrike.
Sa i takon rrugës Tiranë-Elbasan, u vlerësua se kanë përfunduar disa faza të punimeve, ndërsa projekti pritet të mbyllet tërësisht në fund të 2017-ës.
“Këto vizita delegacionesh janë thelbësore për vlerësimin e progresit të projekteve dhe për diskutimin me zyrtarët mbi pengesat që përballen për përfundimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme”, tha Mohamme Saif Al Suëaidi.
Ai shtoi se këto projekte do të jenë një mundësi jetësore për punësim, duke ndihmuar segmente të mëdha të popullsisë me projekte që do të mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjatë vizitës, delegacioni ishte i shoqëruar nga Geraldina Prodani, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si edhe Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.