Aktuale
EKSKLUZIVE: 91.6% e kosovarëve kanë qasje në sistemin e ujësjellësit

Sot shënohet Dita Botërore e Ujit, mirëpo edhe përkundër që viteve të fundit Kosova ka përmirësuar sistemin e ujësjellësit ende ekzistojnë disa pika në të cilat duhet të punohet, në mënyrë që të sistemi i ujësjellësit të jetë në nivelin e duhur dhe cilësia e ujit të jetë e lartë.
Në gjithë territorin e Kosovës vetëm 8.4 për qind të popullsisë nuk kanë qasje në sistemin e ujësjellësit. Kështu ka bërë të ditur inxhinieri i hidroteknikës, Lavdim Osmanaj, në një intervistë për Ndërtimi.info, duke cituar një punim të tijin për të cilin ka nxjerr shifra ekzakte.
“Aktualisht vetëm 8.4 për qind të popullsisë së nuk kanë qasje në sistemin e ujësjellësit, nuk kanë rrjet të ujësjellësit që vjen uji. Pjesa tjetër, 91.6 për qind kanë qasje në sistemin e ujësjellësit. Prej kësaj përqindje 91.6 mund të ketë banorë që nuk janë ende të kyçur në sistemin e ujësjellësit, por qasjen e kanë, pra realisht në ato vendbanime nuk ka nevojë për ndërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit”, ka treguar ai.
Sa i përket përqindjes së popullsisë me qasje në sistemin e ujësjellësit, sipas Osmanajt, Kosova është shumë më mirë sesa vendet përreth.
Pavarësisht përqindjes së lartë së qasjes në sistemin e ujësjellësit, Osmanaj ka pohuar se në disa qytete rrjeti i ujësjellësit është vjetërsuar, ka instalime jo të duhura në kyçjet shtëpiake, kyçje ilegale si dhe mungojnë matësit zonal në disa pjesë të vendit.
Ai, ka bërë krahasimin me vende të tjera edhe në lidhje me kompanitë e ujësjellësit, duke theksuar se Kosova ka kompani regjionale të ujësjellësit, ndërsa shtetet e rajonit ende funksionojnë më kompani në nivel komunal.
Inxhinieri Osmanaj tutje ka përmendur disa probleme me të cilat ballafaqohen kompanitë e ujësjellësit në Kosovë.
“Praktikat kanë treguar se ne jemi në këtë aspekt shumë më mirë sesa shtete përreth, për arsye se nëse në Kosovë kishin me qenë kompanitë siç janë në Shqipëri, Maqedoni e në vende të tjera ne do të kishim probleme. Ka sisteme ku nuk mund ta nxjerrin veten për menaxhimin dhe mirëmbajtjen. Kjo për shumë arsye si inkasimi nuk është në nivelin e kënaqshëm dhe kosotja e lartë për operim dhe mirëmbajtje, dihet që një pjesë e madhe janë me sistemin e pompimit, shpenzimit të energjisë elektrike dhe kështu me radhë”, ka shtuar ai.
Derisa ka theksuar se kompanitë e ujësjellësit duhet të fokusohen që t’i zvogëlojnë humbjet së paku në 50 për qind, ai ka potencuar dy pika kryesore në të cilat duhet të fokusohen këto kompani.
“Në dy pika duhet të fokusohen kompanitë regjionale të ujësjellësit, humbjet dhe kualitetin sa më të lartë të ujit të pijes, pra cilësia e ujit të jetë i përshtatshëm në bazë të rregulloreve që janë në fuqi. 8.7 për qind të popullsisë kanë qasje në sistemin e ujësjellësit, por që nuk menaxhohen nga kompanitë regjionale dhe për këtë duhet që qeveria qendrore së bashku me ato komunale dhe kompanitë të aplikojnë fushata vetëdijesuese që t’i bindin pse duhet të jenë pjesë e menaxhimit të sistemit të tyre”, është shprehu ai.
Në anën tjetër ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se 100 për qind të familjeve kosovare do të mbulohen me rrjet publik të ujësjellësit.
“Ne do të mbulojmë 100% të familjeve kosovare me rrjet publik të ujësjellësit, por problemi është tek resurset e paktat të ujit në Kosovë. Rritja e popullsisë, ndryshimet klimatike dhe zakonet e konsumit po i zvogëlojnë edhe më tej resurset e ujit”, ka shkruar Lluka në Facebook
Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës ekzistojnë shtatë kompani regjionale të ujësjellësit./ndertimi.info/
