Aktuale
Eko-shtëpitë e Radacit të Pejës

Burimi i Drinit të Bardhë, shpella “Bukuroshja e fjetur”, restorantet e peshkut dhe natyra e bukur e kanë shndërruar vit pas viti Radacin e Pejës në një fshat turistik gjithnjë e më të vizituar.
Të gjitha këto adresa atraktive për vizitorë gjenden në anën e majtë të rrugës magjistrale, që shpie për në Kullën e Pejës. Por, qe një vit, titullin e një fshati turistik është duke e sfiduar një objekt prodhues i ngritur në një kodrinë të fshatit, në anën e djathtë të kësaj magjistraleje.
Fabrika i është përshtatur mjedisit të gjelbër jo vetëm me emrin që ka “Greenhouse”, por edhe me prodhimet me materiale ekologjike dhe të riciklueshme. Nga produkte vendore dhe materiale të parafabrikuara në shtetet e tjera, nga ajo fabrikë dalin mure dhe kulme të gatshme për një eko-shtëpi me efiçiencë të energjisë.
Fabrika “Greenhouse”, e para e këtij lloji në Rrafshin e Dukagjinit, ka nisur prodhimin para dy vjetëve e gjysmë, fillimisht në fshatin Kamenicë të Istogut, pastaj në majin e vitit të kaluar në objektin e ndërtuar në fshatin e tij, nga mërgimtari Visar Rexhepaj nga Radaci. Ai e kishte marrë rrugën për në Zvicër para 12 vjetësh me mendjen që paratë e fituara t`i investojë në vendlindje.
Pas gati dhjetë vjetësh në kurbet ai vendos të investojë në atdhe dhe si mbështetje për financimin e eko-projektit, ai afron si partnerë edhe mërgimtarin Nazmi Mehmetaj nga fshati Zabllaq i Istogut dhe zviceranin Manuel Schindelholz.
