Aktuale
Edicioni i 4-të i Festivalit të Gjelbër përfshinë edhe ndërtimin dhe urbanizmin e qëndrueshëm
Për vitin e katërt në Kosovë do të organizohet Fetivali i Gjelbër, me qëllim që të promovohen bizneset që operojnë në e energjisë së rinovueshme, efikasitetin e energjisë dhe riciklimin, shkruan Ndërtimi.info.
Në festivalin sivjetmë dy ditor, 30-31 tetor, risi do të jetë ndërtimi dhe urbanizmi i qëndrueshëm. Për herë të parë do të përfshihen edhe kompanitë e ndërtimit, duke prezantuar konceptet inovative të ndërtimit të lagjeve të reja në Prishtinë.
Gjatë këtyre ditëve, në Sallën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë mbi 40 kompani do të shfaqin produktet e tyre për publikun nga industria e energjisë së ripërtritshme, ndërtimi dhe urbanizmi, teknologjia e gjelbër dhe inovative, energjia solare dhe riciklimi.
Pjesëmarrësit në këtë festival do kenë mundësi të informohen me trendet në sektorin e gjelbër në Kosovë si dhe me të gjitha aspektet e ndërtimit eficient dhe të gjelbër.
Ndërkaq, Kosova është tregu me rritjen më të shpejtë të konsumit të peletit në Evropë! Nga viti 2014 deri në vitin 2017 konsumi i peletit në Kosovë është rritur për 677%. Gjatë kësaj kohe prodhuesit Kosovarë 4 fishuan prodhimin vendor të peletit. Tregu i përgjithshëm i peletit në Kosovë në vitin 2017 ishte 18.76 milionë euro (38% prodhim vendor, 62% import).
Sa i përket energjisë solare, gjatë vitit 2017, në nivel botëror u instaluan më shumë kapacitete të energjisë solare fotovoltaike sesa kapacitete nga burimet fosile dhe nukleare të kombinuara. Tregu i përgjithshëm i paneleve solare fotovoltaike në Kosovë, në vitin 2017, u dominua nga panelet vendore (72% prodhim vendor, 28% import). 4.52 MË të sistemeve solare fotovoltaike janë instaluar në Kosovë nga viti 2014 deri në vitin 2017 (86.7% në biznese dhe 13.3% në shtëpi).
Ndërsa, prodhimi vendor i stiroporit dominoi tregun Kosovar gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016! Në vitin 2016, 81.7% e tregut të stiroporit në Kosovë ishte prodhim vendor ndërsa 18.3% import.