Aktuale
Edhe pas votimit, vazhdojnë përplaset e deputetëve rreth Projektligjit për Kompleksin “Adem Jashari”

Përplasjet mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, nuk janë ndalur edhe pas miratimit të tij.
Diskutimi rifilloi kur deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca kërkoi deputetë Ganimete Musliu, Muharrem Nitaj dhe Albulena Balaj–Halimaj të kërkojnë falje, që sipas tij kanë krahasuar VV-në me Listën Serbe, pasi nuk morën pjesë në votimin e kaluar për këtë projektligj.
Konjufca tha se është politikë e ulët që VV-ja të krahasohet me Listën serbe për Adem Jasharin.
Ai, tregoi se kush sipas tij është kundër Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.
“Ata që janë kundër Adem Jasharit e lëshojnë Kuvendin për ushtrinë. E keni shti ligjin kur e keni ditë që është bojkoti i opozitës, me qëllim e keni shti”, tha ai.
Ndërsa, deputetja PDK-së, Ganimete Musliu tha se nuk pendohet për deklarata e dhëna.
“ Asnjëherë nuk i bi pizhmon për atë që kam fol. Ka qenë turp që nuk keni ardh javën e kaluar me votu projektligjin. Ligji për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ nuk duhet të trajtohet sipas tekeve tuaja personale. Është trup për juve dhe u dashtë me mocion. Prapë është turp që nuk u gjet një vend në Prishtinë për shtatoren e Adem Jasharit”, tha ajo.
Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj tha se ai që duhet të kërkoj falje është deputeti Glauk Konjufca
“I kërkoj që Galuku të kërkoj falje publikisht. Nuk e kam krahasua VV-në me listën serbe as LDK-në me askënd. Glaku le të qohet dhe të thotë ku e ka gjetë një fjali që e kam krahasuar më Listën Serbe”, u shpreh Nitaj.
Albulena Balaj- Halimaj nga Nisma Socialdemokrate, sqaroi deklaratën e dhënë në senacën e kaluar.
“Glauk pse nuk erdhe me votu? Rendin e ditës e ke pa. Ajo që kam thënë unë është se Lista Serbe është e qartë që nuk do ta votojë, por VV e LDK nuk janë në të njëjtën linjë, por duket që janë”, ishte sqarimi i saj.
