Aktuale
Edhe katër lagje të Prishtinës do të ngrohen nga “Termokos”-i

Numri i familjeve që do ngrohen nga “Termokos”-i do shtohet ndjehshëm këtë vit. E, të parët që do të kyçën me zgjerimin e rrjetit janë lagjet Qendra në Lindje të Prishtinës, Arbëria, Tophanja dhe Mati.
E gjithë kjo u tha në prezantimin e Masterplanit për zgjerimin e rrjetit të “Termokosit’, që objektiv kryesor ka reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Prishtinë.
Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes do të kap kosto 17 milionë euro, ku do të kontribuojnë Qeveria Gjermane dhe ajo e Luksemburgut, raporton Ndërtimi.info
I rëndësisë së veçantë ky projekt u konsideruar edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe përfaqësuesi i KFË në Prishtinë, Rene Eschmann.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti derisa ka treguar se nuk do të kyçen të gjithë banorët e Prishtinës, ka thënë se synim është që kyçja të bëhet me kosto sa më të ulët.
“Pra, do të ketë njerëz që nuk do të kyçen dhe ideja ka qenë që ata mos të mendojnë që i kemi bërë padrejtësi dikujt, apo se na ka pëlqye më shumë apo politikisht apo ka pas arsye tjera që të bëhet një materplan në mënyrë që ta bëjmë këtë në mënyrë të barabartë. Dhe e dyta të kyçim sa më shuëm banorë me sa ma pak kosto. Pra që ta ketë efikasitetin e vetë ky zgjerim i rrjetit. E dini që është diskutuar shumë për lagjen “Mati, Kalabria dhe poashtu pjesët të Qendrës. Por sot e kemi edhe diskutimin se a mund të ketë edhe pjesë tjera”, ka thënë i pari i Prishtinës.
Ai, ka shtuar se interesim për kyçje në rrjetin e “Termokosit” tashmë kanë shprehur edhe komuna e Obliqit dhe ajo e Fushë Kosovës, por që prioritet do t’iu jepet banorëve të Prishtinës.
Gjatë prezantimit të Masterplanit u theksua se do të duhet një gypi ri, më i madh i furnizimit me ngrohje, ndërsa dy gypat e tashëm të përdoren gypa kthyes. Gjithashtu do të ketë nevojë për modifikim të turbinave dhe krijimin e stacionit të dytë të nxjerrjes së ngrohjes.
Ky masterplan parasheh që me zgjerimin e rrjetit të ngrohjes faturimi do të bëhet në bazë të konsumit.
