Arkitekturë
Edhe dy mysafirë të famshëm në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë

Festivali i Arkitekturës në Kosovë që do të mbahet nga data 2 korrik deri me 1 tetor, po vazhdon me publikimin e emrave që do të mbajnë ligjërata këtë vit përgjatë festivalit.
Arkitektë nga vende të ndryshme të botës do të vijnë në Kosovë për të ndarë eksperiencat e tyre me publikun kosovar dhe kësaj liste së fundi i janë bashkuar edhe katalunasit nga “Dpr_Barcelona”, një zyre për hulumtime arkitektonike dhe shtëpi botuese e pavarur me bazë në Barcelonë, e themeluar nga Ethel Baraona Pohl dhe César Reyes Nájera, që në thelb kanë tre drejtime kryesore: botimin, kritikën dhe kurimin.
Puna e tyre shqyrton se si arkitektura si disiplinë reagon në kryqëzim me politikën, teknologjinë, ekonominë dhe çështjet sociale. Hulumtimet dhe puna teorike është e lidhur me botimet kryesore në diskursin arkitekturor dhe shkrimet e tyre shfaqen në Open Source Architecture (Thames dhe Hudson, 2015), The Form of Form (Lars Muller, 2016), Together! The NewArchitecture of the Collective (Ruby Press, 2017), Architecture is All Over (Columbia Books of Architecture, 2017), Inéditos 2017 (La Casa Encendida, 2017), Harvard Design Magazine, ARQ, si dhe Volume.
Pjesë e ligjëruesve do të jetë gjithashtu edhe Ivan Kucina, profesor në Dessau International School of Architecture, Anhalt University of Applied Sciences. Ai kishte punuar në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Beogradit nga viti 1996 deri në vitin 2014 si dhe profesor vizitues në the Parsons Neë School for Design – New York, Polis University – Tiranë, KTH – Stockholm, GUTech – Muscat, Oman.
Hulumtimi i tij akademik fokusohet në arkitekturën e qëndrueshme dhe konceptet e zhvillimit urban të bazuar në strategjitë informale të ndërtimit dhe praktikat bashkëpunuese. Ivan Kucuna është një arkitekt që udhëhiqte një studio ndërdisiplinore të arkitekturës dhe dizajnit në Beograd me projekte që variojnë nga projektimi urban dhe ndërtesat në dizajn të ekspozitave dhe mobiljeve.
Ligjëratat do mbahen në hapësirat e Muzeut të Kosovës dhe përveq ligjëratave do të mbahen edhe aktivitete të ndryshme si punëtori, ekspozita dhe evente të ndryshme.

Beograd 20.02.2017.
Ivan Kucina, arhitekta
foto: Milovan Milenkovic
