Aktuale
Edhe dy minibiblioteka në Prishtinë
ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës dje kanë hapur edhe dy minibiblioteka të tjera në Prishtinë.
Njëra është hapur në sheshin “Adem Jashari” dhe tjetra në Kampusin Universitar. Drejtori i ETEA-s, Agron Ahmeti, tha se kanë rifilluar punën me hapjen e minibibliotekave të lagjeve pas sulmeve që u janë bërë në minibibliotekat e mëparshme. Ai tregoi se këto janë minibiblioteka e 6-të dhe e 7-të, që po hapen dhe gjithsej 12 minibiblioteka do të hapen deri në fund të vitit. “Sot jemi në hapjen e minibibliotekës së 7-të me radhë këtu në oborrin e Kampusit Universitar. Minibibliotekat shumica po funksionojnë mirë, fatkeqësisht kemi pasur disa probleme në javët e kaluara në ‘Bregun e diellit’ dhe në ‘Lagjen e Spitalit’, të cilat kanë shkaktuar pezullim të procesit të punës derisa jemi marrë vesh me partnerët e projektit që të rrisim nivelin e sigurisë në biblioteka”, tregoi Ahmeti.
Tutje siç bëri me dije Ahmeti, bibliotekat e dëmtuara do të zhvendosen në vende më të sigurta dhe gjithsej do të hapen 12 minibiblioteka brenda këtij viti.
Ky projekt ka bërë jehonë dhe ka filluar qe një muaj e gjysmë të zbatohet. Shumica e qytetarëve e kanë pritur shumë mirë, janë tri minibiblioteka që janë bërë pjesë e komunitetit, të cilat funksionojnë në mënyrë të rregullt dhe pastrohen nga qytetarët. Ky projekt, në të cilin qëllimi është të shkëmbehen dhe të huazohen librat, do të fillojë të zgjerohet prej vitit 2020 e tutje.