Aktuale
“Ec Ma Ndryshe” kërkon që urgjentisht të zbardhet rasti i djegies së ndërtesës së vjetër në Prizren
Prizreni gjatë fundjavës ka humbur edhe një ndërtesë të vjetër në zonën e dytë të mbrojtur, si pasojë e djegies nga zjarri, i cili dyshohet të jetë vënë qëllimshëm.
Në lidhje me zjarrin që shkatërroi objektin gati një shekull të vjetër në afërsi të ish-fabrikës së barnave “Farmakos”, ka reaguar organizata Ec Ma Ndryshe. Kjo organizatë kërkon nga organet kompetente që urgjentisht ta zbardhin këtë rast.
“Zyrtarët komunalë kanë shprehur dyshimin që zjarri në këtë rast duket të jetë shkaktuar me qëllim, derisa Policia ka njoftuar se në rrethana të panjohura është djegur kjo ndërtesë dhe se rasti po hetohet. Sipas të dhënave nga terreni ndërtesa në fjalë daton nga fundi i dekadës së dytë të shek. XX. ‘EC Ma Ndryshe’ përsëri shpreh shqetësimin lidhur me degradimin e shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren, dhe i bën thirrje organeve shtetërore që të zbardhin urgjentisht rastin e djegies së kësaj ndërtese të vjetër në Zonën e Dytë të Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Ec Ma Ndryshe.
“EC Ma Ndryshe” konsideron se të gjitha organet përgjegjëse shtetërore, pa përjashtim, duhet të veprojnë me seriozitet të plotë për zbatim të legjislacionit për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren. Këtë qëndrim EC e ka paraqitur edhe në reagimin publik me 24 tetor 2019, në lidhje me ndërtimin e një objekti shumëkatësh në afërsi të zonës së mbrojtur.