Aktuale
“EC Ma Ndryshe” e shqetësuar me shenjëzimin në Qendrën Historike të Prizrenit

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ka organizuar sot performancën publike “Shenjëzimi dhe reklamimi kaotik në Qendrën Historike të Prizrenit”.
Përmes këtij aktiviteti “EC Ma Ndryshe”, ka shprehur shqetësimin lidhur me shenjëzimin për trashëgiminë kulturore të patrajtuar nga shteti dhe reklamimin e pakontrolluar.
“Kësaj performance publike i ka paraprirë një hulumtim, të cilin EC Ma Ndryshe e ka bërë për problematikën në fjalë. Nga ky hulumtim janë identifikuar mbi 200 ndërtesa që kanë tabela dhe reklama që janë në kundërshtim me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe vendimin mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit. Ndërkohë përfitimi i Komunës nga taksat për reklama përgjatë kësaj periudhe ka qenë 0 euro”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj organizate vendosja e reklamave të partive politike, bizneseve e organizatave është bërë pa pëlqim të organeve të trashëgimisë kulturore.
“Si mangësi që adresohet përmes kësaj performance është mungesa e standardizimit nga shteti për sinjalistikë rrugore, shenjëzim e tabela interpretuese për lokalitete të trashëgimisë”, thuhet tutje në komunikatë.
EC Ma Ndryshe u ka bërë thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Infrastrukturës që të përfundojnë sa më parë përcaktimin e legjislacionit për standardizimin e sinjalistikës rrugore për lokalitetet e trashëgimisë kulturore si dhe udhëzuesin për komunat e Kosovës ku do të përcaktohej formati teknik i shenjave për sinjalistikë rrugore dhe atë të këmbësorëve.
“Komuna e Prizrenit udhëzohet që ta bëjë përditësimin dhe përmirësimin e vendimit mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit duke i shtuar disa nene përkatëse dhe duke qartësuar disa të tjera”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës të lëshuar nga kjo organizatë, ky vendim duhet të përcillet edhe me një udhëzues grafik për shenja dhe reklama në Qendrën Historike të Prizrenit, në mënyrë që të lehtësohet puna për biznese.
“Në të njëjtën kohë EC njofton që edhe vendosja e reklamës nga ana jonë në urën e Arastës është realizuar në shenjë proteste pa leje dhe fton autoritetet lokale ta bëjnë largimin e saj duke vazhduar tutje me të gjitha shenjëzimet dhe reklamimet brenda Qendrës historike të Prizrenit që bien në kundërshtim me ligjin për këtë zone”, thuhet tutje në komunikatë të EC Ma Ndryshe.
Ky aktivitet u organizua ne kuadër të projekti “Qytetet Gjithëpërfshirëse” – promovimi dhe përhapja e metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje” i cili përkrahet financiarisht nga Olof Palme International Center, që përkrahet nga Qeveria e Suedisë.
