Aktuale
E shfrytëzoi tokën për të cilën pagoi gjysmë çmimi, pas 10 vjetësh ngrihet aktakuzë për falsifikim të kontratës

Në vitin 2013, familja e Minir Shkretës kishin arritur një marrëveshje verbale për t’i shitur një pjesë të tokës së tyre Muhamed Kalisit.
Këtij të fundit i duhej toka për t’ua lehtësuar qarkullimin mjeteve, pasi që kishte një gurëthyes jo fort larg, raporton KTV.
Kalisi kishte paguar një pjesë të parave, por siç pretendon Minir Shkreta, nuk i kishte përmbushur të gjitha pikat e marrëveshjes dhe rrjedhimisht, nuk ishte nënshkruar kontrata.
Por, pak kohë më vonë, kishte dalë në pah një kontratë në të cilën ishte edhe nënshkrimi i nënës së tij tashmë të ndjerë, për të cilin Shkreta pretendon se është i falsifikuar.
Pasi kishin penguar shfrytëzimin e rrugës, çështja kishte përfunduar në Gjykatën Themelore të Ferizajt – Dega në Kaçanik, ndërsa gjyqtari Riza Livoreka, kishte vendosur kundër tyre.
Ekipi i KTV-së ka qëndruar në gurëthyesin në , drejtor i së cilës është Kalisi dhe ka telefonuar në numrin e tij të deklaruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, por pa sukses.
Derisa nga vetja e ka hequr përgjegjësinë avokatja Mimoza Kuka, i ka thënë televizionit se në zyrën e saj vetëm është përpiluar teksti i kontratës, e nuk është bërë nënshkrimi i saj.
Për këtë rast, Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë kundër Muhamed Kalisit për veprën penale: Falsifikimi i dokumenteve, ndërsa në aktakuzë thuhet se falsifikimi është vërtetuar edhe nga ekspertiza e Laboratorit të Forenzikës së Grafologjisë.
