Connect with us

Aktuale

E ripërsërit Lluka: Termocentrali “Kosova e Re” bazament i zhvillimit ekonomik

Published

on

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se Qeveri e Kosovës, ka vulosur investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë që kap vlerën e 1.3 miliard eurove, por, ky është vetëm fillimi, sepse me këtë po vendosim themelet e një ekonomie më dinamike, e cila pritet të shumëfishojë investimin në të ardhmen e afërt.

Ai ka shkruar në facebook se me të filluar operimin, termocentrali Kosova e Re pritet të ketë një jetëgjatësi prej 40 vjetësh. Lluka ka shtuar se ky planifikim afatgjatë do t’i mundësojë shoqërisë ta projektojë një të ardhme prosperuese për gjeneratat që vijnë.

Postimi i ministrit Lluka:

Nënshkrimi i Marrëveshjeve Komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” është ngjarje historike për popullin e Kosovës, sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale të vendit. Arritja e kësaj marrëveshjeje është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve, shumë ekspertëve, që në kushte të vështira arritën që t’i sigurojnë vendit të ardhme të sigurt energjetike. Ky akt është i rëndësishëm në shumë nivele, por ato që kanë rëndësi të theksohen janë rritja e qëndrueshme ekonomike, vazhdimi dhe rikonfirmimi i partneritetit strategjik, dhe sigurimi i prosperitetit për gjeneratat e ardhshme.

Si fillim, ndikimi do të ndjehet qysh në fazën e ndërtimit të Termocentralit, kur do të angazhohen mijëra punëtorë përmes punësimit direkt ose përmes kompanive që do të nënkontraktohen. Ndërsa, në vazhdim, qindra vende pune afatgjatë do të krijohen për të operuar me termocentralin. Bashkë me ContourGlobal do të menaxhojmë me një fond për zhvillimin e komunitetit që do t’i investojë 10 milionë euro në komunat e ndikuara duke krijuar vende të reja pune e rrjedhimisht duke rritur mirëqenien.

Me gjenerimin e garantuar 500 MW ne do të sigurojmë pothuajse gjysmën e nevojës vendore vetëm me këtë njësi. Pjesën tjetër do të vazhdojmë ta marrim nga TC Kosova B, i cili do të rehabilitohet për të kontrolluar ndotjen në nivelet e lejuara mjedisore. Këto do të jenë edhe burimet e vetme të energjisë që mbështetet në linjitin e Kosovës në dekadat që vijnë sepse marrëveshja që kemi nënshkruar parasheh mbylljen e TC Kosova A, njësitë e të cilit operojnë duke tejkaluar normat e lejuara të ndotjes së ajrit. Por, kjo nuk do të jetë energjia e vetme që do të gjenerohet nga termocentrali i ri. Kjo njësi do të shumëfishojë kapacitetin për energji termike nga i cili do të përfitojnë të gjitha komunat fqinje, duke përfshirë Prishtinën.

Më lejoni të konfirmoj që nuk mund të ketë tregues më domethënës për pozicionimin e Kosovës si destinacion për investime sesa kjo marrëveshje për TC Kosova e Re. Investimet e huaja direkte po shënojnë suksese të reja, të cilat përkthehen në ndikim pozitiv dhe nxisin krijimin e vendeve të reja të punës. Me këtë investim po dërgojmë sinjal të qartë në botë se jemi vend me potencial dhe shtet që ofron siguri për investime.

Orientimi i Kosovës kah integrimet euro-atlantike është i gjatë dhe kërkues, por është një garanci që shteti është në rrugën e duhur për zhvillim të qëndrueshëm. Zotimet e institucioneve tona janë në harmoni me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, të cilat, në projektin për TC Kosova e Re, do të zbatohen në përpikmëri. Zbatimi i këtyre standardeve kërkon zhvillim ekonomik dhe konkretisht energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme si parakusht për zhvillim. Kosova është me fat që edhe njëherë po dëshmon se po arrin të sigurojë investitorë serioz global, konkretisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të zhvilluar asetet e saja strategjike shtetërore.

Jam i lumtur që po bëjmë histori duke krijuar asete që po ndërtojnë Kosovën e së ardhmes. Me të filluar operimin, termocentrali Kosova e Re pritet të ketë një jetëgjatësi prej 40 vjetësh. Ky planifikim afatgjatë do t’i mundësojë shoqërisë ta projektojë një të ardhme prosperuese për gjeneratat që vijnë. Kjo periudhë do të kontribuojë jo vetëm në qëndrueshmëri në furnizim, por edhe garanton pavarësi nga çmimet rajonale të energjisë nga të cilat Kosova nuk do të varet në të ardhmen. Gjatë këtyre dekadave Kosova do të ketë kohë të mjaftueshme të krijojë kapacitete të reja prodhuese të bazuara në burime të energjisë së ripërtëritshme. Ky është orientimi i Qeverisë së Kosovës që është në harmoni të plotë me politikat zhvillimore të shteteve të Bashkimit Evropian.

Andaj, pas një serie të artikujve që i kam publikuar në vazhdim për t’i sqaruar opinionit publik se çfarë të mirash do të na sjellë realizimi i Projektit për Termocentralin Kosova e Re, më lejoni të shtoj se me kontratat e nënshkruara ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi vulosur investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë që kap vlerën e 1.3 miliard eurove. Por, ky është vetëm fillimi, sepse me këtë po vendosim themelet e një ekonomie më dinamike, e cila pritet të shumëfishojë investimin në të ardhmen e afërt. Ekonomia për të cilën ne jemi përcaktuar do të mbështesë zhvillimin e vet në energji të qëndrueshme, do të llogarisë në furnizim stabil me energji elektrike, e bazament shumë i fuqishëm për t’i arritur këto do të jetë Termocentrali Kosova e Re.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending