Aktuale
E pranon kryetari: Podujeva është kthyer në kantier ndërtimesh

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim publik me qytetarë, lidhur me ecurinë e realizimit të projekteve dhe aktiviteteve të tjera, të parapara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.
“Buxheti i Komunës për këtë vit është 20,953,255 euro, prej të cilave për investime kapitale janë 6,489,514 euro., kurse për subvencione kemi një buxhet prej 568,883 euro”, tha Veliu.
Siç tha ai, projektet e miratuara në Kuvend, që janë të përfshira në buxhetin e Komunës, deri më tani janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik.
Kryetari Veliu tha se “tashmë kemi hyrë në fazën e finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Kemi të asfaltuara mbi 80 % të rrugëve, nga rreth 1,300 rrugë publike, sa janë të evidentuara në territorin e Komunës sonë. Jemi duke vazhduar në asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave nëpër lagje”.
Kryetari përmendi fillimin e realizimit të disa projekteve të mëdha infrastrukturore në qytet, siç është hapja e rrugës së re pranë lumit Llap, në pjesën perëndimore të qytetit, e cila do të shërbejë si unazë e brendshme dhe do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në qytet dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e asaj pjese të qytetit.
“Së shpejti do të fillojmë edhe me zgjerimin e një segmenti të Rrugës ‘Zahir Pajaziti’ duke filluar nga udhëkryqi i rrugës ‘19 Qershori’ deri te udhëkryqi që lidh magjistralen Podujevë-Prishtinë, ku paralelisht do të bëhet edhe rregullimi i infrastrukturës përcjellëse”.
Siç u shpreh ai, “ndërtimin e infrastrukturës rrugore jemi duke e përcjellë edhe me shtrirjen e rrjetit të ndriçimit publik në të gjitha lagjet e qytetit, por edhe në disa fshatra. Jemi në fazën e përmbylljes së ndërtimit të rrjetit të kanalizimit dhe kemi filluar me ndërtimin e kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në mbrojtjen e ambientit sepse ujërat e zeza do të largohen nga lumenjtë”.
tej kryetari përmendi edhe fillimin e funksionalizimit të Spitalit të Qytetit, ku fillimisht është duke ofruar shërbime Reparti i Maternitetit. “Besojmë se së shpejti, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, do t’i funksionalizojmë edhe repartet e tjera të spitalit”.
Kryetari Veliu tha se janë edhe shumë projekte të tjera që janë duke u realizuar dhe që pritet të realizohen gjatë këtij viti në sektorë të tjerë.
