Aktuale
E përsërit Oda Amerikane, Projektligji për pagat ka kosto buxhetore dhe rrit dallimet

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka përsërit qëndrimin e saj se Projektligji për pagat do të rrisë ngarkesën mbi arkën e shtetit dhe si i tillë rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore.
Në një komunikatë për medie Oda Amerikane beson fuqishëm se aprovimi i Projektligjit për paga në formën aktuale, do të kishte implikime të konsiderueshme buxhetore, duke zvogëluar në të njëjtën kohë mjetet buxhetore për investime kapitale, që janë tejet të rëndësishme për fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Gjithashtu, Oda Amerikane konsideron se i njëjti projektligj rrit edhe më tej hendekun ndërmjet niveleve të pagesave në sektorin publik dhe atë privat, duke pasur parasysh që ndërmarrjet e sektorit privat e kanë të pamundur të përcjellin trendët e rritjes së pagave nga institucionet publike e vendit përgjatë viteve të fundit.
“Prandaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit buxhetor përmes shpenzimit më të kujdesshëm të parasë publike, Oda Amerikane, i kërkon Ministrisë së Administratës Publike dhe Qeverisë në përgjithësi që të kenë parasysh të gjitha implikimet e mundshme të projektligjit në fjalë, duke pasur parasysh se institucionet e vendit e kanë për obligim moscenimin në asnjë rrethanë të stabilitetit buxhetor”, thuhet në komunikatën për medie të OEAK.
Tutje thuhet se rritja e mundshme e deficitit buxhetor do të çojë pashmangshëm në rritjen e normave tatimore për bizneset ekzistuese në vend, e që në anën tjetër do të zvogëlonte prospektet për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe do të ndikonte në rritjen e ekonomisë joformale në Kosovë, në një kohë kur kërkohen përpjekje më të mëdha për luftimin e saj.
Ndërsa, afro 50 milionë euro në vit do të jetë kostoja shtesë e Projektligjit për paga, i cili dy ditë më parë ishte tërhequr nga rendi i ditës në Qeverinë e Kosovës, me kërkesë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Shkaku i implikimeve të mëdha buxhetore, BE-ja ka kërkuar që të bëhet një vlerësim mbi ndikimin fiskal të këtij projektligji, shkruan Koha Ditore.
Nga Zyra e BE-së në Kosovë kanë thënë për gazetën se vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për ta reformuar sistemin e të ardhurave në sektorin publik në mënyrë që të sigurojnë parimin e pagesës së barabartë për punën e njëjtë, duke definuar sistemin e pagave dhe mëditjeve në mënyrë më transparente.
“Draftligji është shumë ambicioz në shtrirjen e tij dhe do të ketë shumë implikime buxhetore.
