Aktuale
“Dyshimin për keqpërdorim të parave të Kompleksit ‘Adem Jashari’ ma dha Rifat Jashari”
Kullat e Jasharajve janë në gjendje pranë rrëzimit, si pasojë e mos-kujdesit dhe mos-konservimit e restaurimit të tyre. E, për mos-ndërhyrjen në këto kulla si arsyetim u dha se duhet të miratohet ligji i ri për Kompleksin Mmorial “Adem Jashari”.
Mirëpo, edhe pse nuk u bë asgjë në ruajtjen e tyre, deri tani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” janë dhënë mbi 8 milionë euro.
Në lidhje me këtë, janë ngritur edhe dyshime për keqpërdorime me mjetet e destinuara për këtë kompleks.
Dyshime të tilla ka edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka.
Ai, në emisionin “Koha për Ndërtim”, ka potencuar se këtë dyshim ia ka dhënë më i vjetëri i familjes Jashari, i mbetur gjallë, Rifat Jashari.
“Fillimisht e kam ditë sipërfaqësisht. Në anën tjetër një dyshim për keqpërdorim të parave në kompleksin “Adem Jashari” ma ka dhënë edhe baci Rifat, në bisedat e mia private, të cilat i kam pas. Madje, ka qenë baci Rifat që më është lutë që të bëj ç’mos për ta zbuluar të vërtetën, madje më ta thënë se nëse edhe dikush nga anëtarët e familjes sime është i përzier në këtë skandal lirisht nxirre para mediave publikisht, vetëm publikojë faktet”, ka thënë ai.
Ndërkaq, gjendja alarmante e kullave kishte nxitur reagim nga institucionet e vendit, mirëpo që ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për ndërhyrje në to./Ndërtimi.info/


