Featured
Dyert dhe dritaret e drurit s’kanë “vdekur”, ato ende prodhohen në një qosh të Prishtinës
Fjolla Smaili
Dyert dhe dritaret nga druri sa po shkojnë e po zhduken nga përdorimi i gjerë. Mirëpo një kompani në Prishtinë ende i prodhon ato, sipas dëshirës suaj. Ata prodhojnë në sasi goxha të vogla dhe vazhdojnë traditën e familjes Rama.
Bahredin Rama udhëheqësi i kompanisë Al-Druri ka treguar shumëçka për prodhimin, materialin të cilin e përdorin, ngjyrat që janë në trend dhe kërkesat e konsumatorëve. Ai tregon arsyen se pse druri po zëvendësohet çdo ditë e më shumë nga plastika e alumini.
“Konkurenca në mes drurit dhe plastikës nuk duhet të jetë nëse bazohemi në materiale. Drurin të gjithë e dimë se çfarë karakteristika ka në ambientin e brendshëm. Por, është çështja e mirëmbajtjes dhe për këtë arsye njerzitë po anojnë nga plastika”, thotë Rama.
Për produktet e drurit duhet pritur më gjatë deri sa të përpunohen. Kjo ka bërë që druri të përdoret më shumë tek dizajnet dhe pjesët estetike në shtëpi.
“Përveç estetikës dhe ndjesisë të cilën ta ofron, druri është çdo herë i gjallë në krahasim me plastiken dhe në temperatura të ndryshme druri ndikohet ndryshe nga plastika. Plastika sigurisht bymehet, tkurret e ka efektin tjetër. E druri ka kondensim më pak, lagështi krijon ma pak druri në krahasim me plastiken, dhe iu qëndron mv shumë temperaturave të ulëta apo të larta, është më fleksibil duke iu përshtatur temperaturave”.
Por, përveç prodhimit, mjeteve të punës dhe makinerisë për të ardhur deri tek një produkt final kualitativ duhet të bëhet sigurimi i materialit i cili më pas do të futet në përdorim.
“Ne edhe si familje që e kemi trashëguar këtë profesion po edhe si kompani kryesisht e kemi përdor drurin e bungut, pasi është më karakteristikë druri i bungut kuptohet është më i shtrenjtë dhe për atë është edhe më i vlefshëm e më i qëndrueshëm. Bungun me të cilin furnizohemi është kryesisht i salvonisë i cili është hibrit dhe më i veçantë për me punu”.
E në mesin e materialeve të cilat përdoren për prodhim përveç bungut është edhe pisha. Kjo e fundit përdoret më shumë për shkak të karakteristikave, sikur është ngjyra.
Ndërsa sa iu përketë çmimeve, ato klasifikohen varësisht prej materialit dhe produktit. Mirëpo, në përgjithësi vëllezëritë Rama kanë treguar se çmimet për materialet të cilat punohet nga druri i bungut janë në përgjithësi më të shtrenjta.
“Çmimet janë konform kërkesës të myshetrive, bungu është më i shtrenjtë del me çmim më të lartë, por është më afatgjatë, eventualisht edhe arra, mirëpo ky është më i magët më i rrallë në tregun tonë”.
E për të gjithë qytetarët të cilët ia ka “mësy” që të ndërtojnë një shtëpi të re apo edhe të ndryshojnë enterierin e shtëpisë së tyre Rama si njohës i mirë i kësaj fushe ju preferon të përdorni më shumë drurin. Kjo për shkak të ngrohtësisë dhe estetikës të cilin ofron.
Sa i përketë ngjyrave të cilat konsumatorët po i kërkojnë më shumë kohët e fundit apo ngjyrat të cilat janë në trend.
“Po kryesisht janë ngjyrat natyrale, e cila nuk lejon me humb strukturën e drurit. Si ngjyrat e kaftë e qelët e kaftë e pak më e mbylltë po në përgjithësi me pas strukturën dhe çasjen me drurin që mos mu dukë artificial dhe mos me u mbyllë struktura e drurit, vijat”, ka thënë Rama.
Kjo kompani ka filluar punën në vitin 1971 dhe ka vazhduar t’i bëjë ballë tregut edhe sot e kësaj dite. Kompania Al-druri ka punuar një numër të kafiterive me emër në Prishtinë në mesin e të cilave përfshihet Resataurant “Fshati”, Babel e Papillon.
You must be logged in to post a comment Login